2018-03-13 19:09:28 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ndryshimet e fundit kushtetuese të Kinës shihen si të domosdoshme dhe urgjente për zhvillimin e vendit, duke sugjeruar se Kina ka nevojë për një udhëheqje më të fortë për të nxitur reformën ekonomike dhe për të patur një rritje të qëndrueshme.
Një numër vëzhguesish kinezë mendojnë se ndryshimet e reja kushtetuese të miratuara nga pleniumi i Legjislaturës së 13-të të AKPK-së, duke përfshirë rishikimin e mandatit të Presidentit, janë të duhurat për të arritur stabilitetin e qëndrueshëm të Kinës.
Zhang Weiwei, drejtor i Institutit të Kinës pranë Universitetit "Fudan", tha se është e rëndësishme që në Kushtetutën e vendit të theksohet lidershipi i Partisë.
"Nëse do të shohim secilin prej vendimeve të mëdha, si përshembull planin pesëvjeçar, nevojiten të paktën një vit dhe qindra raunde konsultimi në nivele të ndryshme, të shtetit kinez dhe shoqërisë kineze, përpara se të merren vendimet përkatëse. Nëse gjatë kësaj periudhe të gjatë këto objektiva janë të sakta, atëherë ajo që iu nevojitet është fuqia për t'i zbatuar ato. Prandaj, në këtë fazë kritike të ndryshimit të Kinës, një kohë ndryshimesh edhe në botë, mendoj se një përqendrim më i madh i pushtetit, në rastin e Kinës, është mëse i domosdoshëm. Ne kemi shumë reforma për të bërë dhe ne e kemi planin për këtë, thjesht duhet ta vëmë atë në punë.", u shpreh Zhang.
Ndryshimet e bëra të kushtetutës përfshijnë gjithashtu Mendimin e Xi Jinping-ut për Socializmin me Karakteristikat Kineze për një Epokë të Re dhe njëkohësisht renditin komisionin kombëtar mbikëqyrës si një organ të ri shtetëror.
Mbështetja nga ligjvënësit të cilët votuan rishikimet e reja të Kushtetutës ishte pothuajse unanime.
Liu Shoumin, deputet i AKP-së dhe një avokat veteran, thotë se qeveria i është përmbajtur zotimit të saj për të mos bërë ndryshime drastike të kushtetutës së vendit. Sipas tij, ndryshimet e reja pasqyrojnë një avancim të qeverisjes së Kinës.
"Ndryshimet e bëra në kushtetutën e vendit nuk janë të mëdha, pasi janë bërë vetëm atje ku duheshin bërë. Përmes kësaj, sigurohet përparimi i Kushtetutës dhe ecja e saj me të njëjtin ritëm me jetën shoqërore, si edhe ruhet qëndrueshmëria, konsekuenca dhe autoriteti i saj. Mendoj se mënyra e trajtimit të amendamenteve ishte pozitive, proaktive dhe e mençur, duke reflektuar aftësinë drejtuese të nivelit të lartë të udhëheqjes së Kinës dhe Partisë në ndryshimet e Kushtetutës ", tha ai.
Ndërkohë, Kina ka listuar komisionet mbikëqyrëse si një organ shtetëror në Kushtetutën e vet.
Bashkimi i komisioneve mbikëqyrëse në një grupim të përbashkët, të njohur si një organ shtetëror, thuhet se është bërë për të ndihmuar në konsolidimin e burimeve anti korrupsion. (Haris)