2018-03-12 09:39:12 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të dielën pasdite u zhvillua në Pekin mbledhja e tretë plenare e sesionit të parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, ku kryetari i Komitetit të Përhershëm të AKP-së Zhang Dejiang mbajti raportin e punës. Në raport vihet në dukje se këtë vit komiteti i përhershëm planifikon të hartojë ligjin e taksave të pasurive të patundshme, do të përsosë ligjin e organizimit të institucioneve shtetërore, do të rishikojë ligjin e organizimit të gjykatës popullore, ligjin e organizimit të prokurorisë popullore, ligjin e nëpunësit civil etj. Komiteti i Përhershëm gjithashtu do të përmirësojë kuadrin ligjor për ndërtimin e një sistemi ekonomik modern, do të përshpejtojë punën për hartimin e kodit civil, do të përcaktojë parimet ligjore të taksimit, do të hartojë ligjin e taksave mbi tokën e zënë bujqësore, ligjin e taksave për blerjen e automjeteve, ligjin për taksat e burimeve etj., si edhe do të rishikojë ligjin e menaxhimit të mbledhjes së taksave, kodin e procedurës penale etj.
Lidhur me punën e bërë në pesë vjetët e kaluar, Zhang Dejiang u shpreh se udhëheqja nga Partia Komuniste e Kinës është kërkesa themelore dhe epërsia kryesore e sistemit të Asamblesë Popullore. Ky sistem është forma më e lartë që tregon statusin e popullit kinez si zot i vendit të vet dhe ky status duhet të zbatohet në jetën politike e shoqërore. (Fani)