2018-03-11 16:30:01 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Pasi u zgjodh për herë të parë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2012, Xi Jinping ka folur shpesh për rëndësinë e menaxhimit të brendshëm të kuadrove partiakë për zhvillimin e vendit.
Z. Xi ritheksoi këtë qëndrim të shtunën gjatë takimit me 60 deputetë të qytetit Chongqing, që ishin pjesmarrës në sesionin vjetor parlamentar (Asamblenë Kombëtare Popullore) në Pekin. Vitet e fundit, disa zyrtarë të këtij qyteti u dënuan për korrupsion dhe shkelje të disiplinës partiake.
Gjatë diskutimeve, Xi Jinping-u foli mbi ndërtimin e Socializmit me Karakteristika Kineze duke e krahasuar atë me një ndërtesë e cila duhet të ketë disa shtylla të qëndrueshme. Ndër to, udhëheqja e PKK-së është forcë themelore drejtuese, por e cila kërkon edhe një themel të shëndoshë që përbëhet nga kuadrot partiakë nga shtresa bazë. Nëse nuk ka një themel të fortë, ndërtesa do të lëkundet, tha ai.
Përsa u përket funksionarëve të lartë partiakë, që sipas Xi Jinping-ut janë "pakicë kyçe drejtuese", menaxhimi i duhur i tyre është një hap i rëndësishëm i hedhur nga brezi i ri i udhëheqësve të PKK-së që nga viti 2012. Gjatë pesë vjetëve të fundit, janë përsosur masat edukuese dhe kontrolluese ndaj udhëheqësve të lartë partiakë, të cilët, sipas Xi Jinping-ut, duhet të kenë një sens të lartë moral.
Ata duhet të jenë mendjekthjellët para sfidave dhe joshjeve, t'i shërbejnë popullit me gjithë zemër për përmirësimin e jetesës së tyre dhe mbi të gjithë duhet të jenë të pastër vetë, duke mos lejuar që familjarët e tyre të përfitojnë nga posti i tyre.
"Duhet të jemi të kujdesshëm, jo vetëm gjatë punës por edhe në kohën e lirë mes miqsh e të njohurish, për të forcuar kështu imunitetin tonë kundër korrupsionit, duke respektuar disiplinën partiake dhe ligjin e vendit", tha Xi Jinping-u në takimin me deputetët e Chongqing-ut. (Haris)