2018-03-08 13:42:26 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Nisma "Një brez, një rrugë" është një e mirë publike globale që zbaton rregullat ndërkombëtare, tha të enjten Ministri i Jashtëm Wang Yi.
Kjo platformë bashkëpunimi ndërkombëtar ndjek parimet e tregut dhe është një nismë transparente që ndjek "rregullin e artë" të konsultimit të gjerë, me kontribute dhe përfitime të përbashkëta, tha Wang.
"Gjithçka është e hapur," tha ministri për shtypin. "Nuk ekziston asnjë marrëveshje e fshehtë, çdo hap është transparent".
Ministri i Jashtëm tha se Kina sinqerisht, kërkon ide nga të gjitha palët për të arritur suksesin. Kina, shtoi ai, do të punojë për si lidhjen infrastrukturore ashtu edhe për harmonizimin e politikave dhe standardeve.
Ministri nënvizoi se mbi 140 vende morën pjesë në Forumin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar 'Brezi dhe Rruga' që u mbajt në Pekin në majin e vitit 2017, çka sipas tij, shfaqi besimin dhe përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar për këtë nismë.
Deri tani mbi 80 vende e organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me palën kineze, ndërsa janë vënë në zbatim shumë projekte të përbashkëta.
Wang solli si shembull rastin e blerjes së një uzine çeliku në falimentim në Serbi dhe ringritjen e saj brenda një viti, duke siguruar punësimin e mbi 5000 punëtorëve. Gjithashtu pas marrjes nën administrim të portit më të madh grek nga një ndërmarrje kineze, u rrit ndjeshëm vëllimi i transportit të mallrave, duke e bërë portin e Pireut një prej portave kryesore europiane. (Fani)