2018-03-08 13:36:17 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Që nga fillimi i këtij viti është regjistruar një shtim i numrit të hetimeve të praktikave tregtare të Kinës nga SHBA-ja, gjë që ka çuar në përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve tregtare midis ekonomisë më të zhvilluar të botës dhe ekonomisë numër një në zhvillim.
Lidhur me këtë, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha të enjten se historia na ka mësuar se lufta tregtare nuk është kurrë zgjidhja e duhur. Ai shtoi se kjo luftë është e padobishme në një botë të globalizuar dhe dëmton iniciatorin.
Po atë ditë, në konferencën e shtypit të organizuar gjatë sesionit të parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës ministri Wang Yi tha se si ekonomia e parë dhe e dytë e botës, Kina dhe ShBA-ja janë përgjegjëse jo vetëm për popujt e tyre, po edhe për vendet e tjera të botës.
Ai theksoi se Kina shpreson se të dyja palët do të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të dobishme dhe të favorshme nëpërmjet një dialogu të barabartë dhe konstruktiv.
"Nëse ka konkurrencë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, kjo duhet të jetë një konkurrencë e shëndetshme dhe pozitive, e cila është normale në shkëmbimet ndërkombëtare", tha kryediplomati kinez Wang Yi.
(Fang Xiaoyu/Albana)