2018-03-08 11:35:05 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Propozimi i palës kineze "dy ndalimet" është zgjidhja e duhur për çështjen e Gadishullit Korean dhe ofron kushte bazë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Seulit dhe Penianit, tha ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi në konferencën e shtypit me rastin e sesionit të parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.
Ai i bëri thirrje ShBA-së dhe Koresë së Veriut të zhvillojnë sa më parë dialog dhe të mbajnë kontakte.
Kryediplomati kinez nënvizoi se ndërveprimet e shpeshta mes Seulit dhe Penianit në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore thyen akullin e marrëdhënieve të ngrira për një kohë të gjatë. Gjatë Olimpiadës, Koreja e Veriut nuk zhvilloi asnjë test të ri bërthamor, ndërsa ShBA-ja dhe Koreja e Jugut ndaluan përkohësisht manovrat e përbashkëta ushtarake.
"Faktet vërtetojnë se propozimi "dy ndalimet" i palës kineze është zgjidhja e duhur për krizën e Gadishullit Korean dhe ka krijuar kushtet bazë për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Jugut dhe Veriut. Këto përpjekje kanë hedhur një hap vendimtar për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Gadishullit Korean", shtoi ministri Wang Yi.
Kreu i diplomacisë kineze theksoi gjithashtu se palët e ndryshme duke marrë parasysh paqen e Gadishullit Korean, sigurinë e rajonit, duhet të tregojnë kurajë politike duke marrë vendime të guximshme duke nxitur rinisjen e dialogut për zgjidhjen paqësore të çështjes së Gadishullit Korean.
"Kina do të vazhdojë përpjekjet e saj në këtë drejtim", përfundoi ministri i Jashtëm Wang Yi. (Wang Xianya/Albana)