2018-03-07 20:50:03 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Profesore Yang Jia është e vetmja anëtare që nuk shikon e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez. Tani në mandatin e saj të tretë si anëtare e KKPPK-së, profesor Yang po nxit promovimin e filmave dhe kinemave ku mund të kenë qasje edhe njerëzit me probleme shikimi.
Kjo pjesë e shoqërisë shpesh është e përjashtuar nga shumë prej asaj që kinemaja ofron.
Profesore Yang Jia beson se njerëzit me aftësi të kufizuara duhet të kenë qasje të barabartë në filma dhe kinema si të gjithë njerëzit e tjerë. Objektivi për ta bërë këtë realitet është arsyeja për njërin prej propozimeve të saj për KKPPK-në, organi më i lartë këshillimor i Kinës.
"Mund të kemi kolona zanore shtesë për njerëzit me probleme shikimi, nëse ata ulen në zona të veçanta me pajisje të posaçme. Por nëse nuk ka kolonë zanore, mund të kemi folës për ta thënë," thotë prof. Yang.
Një nga mënyrat se njerëzit me dëmtim shikimi mund ta shijojnë një film është nëpërmjet përdorimit të një kolone zanore ku përshkruhet veprimi që ndodh në ekran. Filmat e rrëfyer janë një teknikë e rëndësishme për të ndihmuar njerëzit me dëmtime shikimi të shijojnë kinemanë së bashku me njerëzit me shikim normal.
Prodhimi i më shumë filmave në këtë mënyrë është një hap i rëndësishëm drejt bërjes së kinemasë më përfshirëse.
"Një gjë e tillë është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e jetës kulturore. Kështu mund të kemi një vështrim të mirë të shoqërisë, mund të qeshim dhe të qajmë me pjesën tjetër të atyre që shkojnë në kinema," thekson prof. Yang.
Prof. Yang Jia u diagnostikua në moshën 29-vjeçare me një sëmundje të syve, e cila çoi në humbjen e shikimit të saj. Por kjo nuk e ndaloi atë të marrë një master në administrim publik në Shkollën prestigjioze "Kennedy" të Universitetit të Harvardit. Ajo punon si profesore në Universitetin e Akademisë Kineze të Shkencave. Ndërkohë, si anëtare i KKPPK-së, ajo ka paraqitur më shumë se 60 propozime gjatë dy mandateve të fundit, shumë prej të cilave janë pranuar.
Prof. Yang beson se humbja e shikimit e ka lejuar që ta shohë botën në shumë mënyra të ndryshme:
"Njerëzit me dëmtim shikimi mund të japin provimin kombëtar të pranimit në universitet ashtu si njerëzit e tjerë, ky ishte një nga propozimet e mia. Kam një ndjenjë vetërealizimi."
Propozimet e këtij viti të prof. Yang Jia përfshijnë gjithashtu legjislacionin për njerëzit me sëmundje të rralla, standardizimin e grumbullimit të mbeturinave dhe goditjen e shërbimeve financiare të paligjshme që kanë si objektiv të moshuarit dhe banorët e fshatit.