2018-03-07 20:25:00 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina do të zbatojë strategjinë e rilindjes së fshatit, duke e bërë bujqësinë një sektor me të ardhme, bëri të ditur të mërkurën ministri kinez i Bujqësisë Han Changfu.
Duke folur në një konferencë shtypi në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, Han Changfu theksoi se në raportin e punës së qeverisë, janë paraqitur objektivat për të zbatuar strategjinë e rilindjes së fshatit, nëpërmjet planifikimit shkencor, përmirësimit të mekanizmit të integrimit të qytetit e fshatit dhe dhënies së impulseve të reja zhvillimit të fshatit nëpërmjet risive të reformës.
Han Changfu theksoi gjithashtu se kohët e fundit, Ministria e Bujqësisë po zhvillon hetime të gjithanshme në bazë në fshat, për të ofruar materiale të dorës së parë për strategjinë e rilindjes së fshatit.
Ai tha se në të ardhmen do të hartohen plane për zhvillimin e këtij sektori, shfrytëzimin e tokës, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike etj.:
"Do të dërgojmë ekipe kuadrosh në fshat, do t'i ofrojmë elemente të favorshme bujqësisë dhe do të garantojmë fonde dhe shërbime publike. Do të studiojmë dhe hartojmë politikat përkatëse, për të nxitur risitë në mekanizmat institucionalë, duke forcuar gjallërinë e zhvillimit të fshatit."
Ministri premtoi gjithashtu se në të ardhmen do të zhvillohet aksioni trevjeçar i përmirësimit të mjedisit në fshat, për t'u krijuar banorëve të fshatit një mjedis të bukur dhe të pastër.
"Do t'i nxitim kthimin e bujqësisë në një sektor me të ardhme. Fermerët do të sigurojnë më shumë të ardhura dhe profesioni i tyre do të bëhet një profesion i parapëlqyer. Në të ardhmen, statusi i fshatit do të rritet shumë dhe do të rritet numri i atyre që do të duan të merren me bujqësi. Besojmë se në të ardhmen shumë banorë të qyteteve do të shpresojnë të shkojnë në fshat," tha ministri i Bujqësisë i Kinës Han Changfu.
(Xu Guang)