2018-02-22 20:18:35 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina mund të arrijë një zhvillim më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm me bashkërendimin e reformave, që maksimizojnë ndikimin e zhvillimit dhe trajtojnë sfidat e zhvillimit të saj, theksohet në një raport të Grupit të Bankës Botërore.
Rritja e Kinës është ngadalësuar duke hyrë në një "fazë të re normale" dhe po vijon ribalancimi ekonomik. Menaxhimi në një mënyrë të qëndrueshme i kësaj faze kalimtare do të jetë me rëndësi të madhe për arritjen e objektivave të zhvillimit të vendit, thuhet në raportin "Drejt një zhvillimi më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm".
Politika për rritjen e produktivitetit nëpërmjet inovacionit, konkurrencës së tregut dhe sektorit privat do të mbështesë këto objektiva, sipas raportit.
"Përparimi i dukshëm i Kinës në pakësimin e varfërisë ekstreme ka kontribuar ndjeshëm në rënien e varfërisë globale", vuri në dukje Hoon S. Soh, drejtues i Programit të Bankës Botërore për politikën ekonomike për Kinën.
Në raportin e Grupit të Bankës Botërore parashikohet vazhdimi i zhdukjes së varfërisë ekstreme në Kinë, ndërsa varfëria ekstreme pritet të bjerë nën një përqind sivjet, bazuar në nivelin ndërkombëtar të varfërisë prej një pariteti të fuqisë blerëse 1.90 dollarë amerikanë në ditë.
Rekomandime të tjera për Kinën përfshijnë një mbështetje më të madhe në mekanizmat e tregut dhe shfrytëzimin më të madh të financimit privat për të nxitur inovacionin e gjelbër dhe për të ulur koston mjedisore e mbetjet.