Kinë, biletat e trenave për Festën e Pranverës po shiten edhe në sportele të lëvizshme

2018-01-16 20:21:09 CRI Komenti juaj Printoni

Byrotë hekurudhore të Kinës kanë hapur sportele të lëvizshme të shitjes së biletave për t'i bërë ballë fluksit të udhëtimeve me rastin e Festës së Pranverës apo Vitit të Ri kinez. Gjithashtu biletat e trenave janë vënë në shitje në uebsajte dhe aplikacione.

Byrotë vendore hekurudhore kanë marrë masa për të ndihmuar mësuesit dhe nxënësit për të blerë biletat e trenit.

Në provincën Hubei të Kinës Qendrore, autoritetet hekurudhore kanë hapur sportele të lëvizshme në shkolla dhe universitete. Mbi 600 mësues dhe studentë tibetianë i blenë biletat duke përdorur këtë shërbim.

Një studente nga shkolla e mesme Linghu, e qytetit Huanggang të provincës Hubei, shprehet e kënaqur me shërbimin.

"Sporteli i shitjes së biletave u hap në shkollën tonë, duke e bërë shumë më të thjeshtë për ne t'i blemë biletat e duke na kursyer kohën e gjatë të pritjes në radhë".

Edhe në qytetin Nanning, kryeqendra e Rajonit Autonom Guangxi Zhuang, pasagjerët mund t'i blenë biletat nëpërmjet sporteleve të lëvizshme.

Deri të dielën ishin shitur mbi 133 milionë bileta treni për periudhën e Festës së Pranverës.

Ma Hansong, është nga departamenti i trafikut i Byrosë Hekurudhore të Nanning-ut:

"Byroja Hekurudhore e Nanning-ut ka shitur gjithsej 612,000 bileta treni, duke shënuar një rritje vjetore prej 25 për qind. Nga këto, 85 për qind janë shitur nëpërmjet internetit."

Viti i Ri Hënor bie më 16 shkurt. Autoritetet parashikojnë 2.98 miliardë udhëtime nga 1 shkurti deri më 12 mars. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore