Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën mbi statusin e Jerusalemit

2017-12-22 10:23:23 CRI Komenti juaj Printoni

 

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që e shpall njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit si "të pavlefshëm".

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Miroslav Lajcak:

"Rezultati i votimit është si në vijim: Pro 128, kundër 9, abstenim 35. Miratohet projektrezoluta A/ES-10/L22".

Projektrezoluta pohon se vendimet ose veprimet që pretendojnë të ndryshojnë statusin e Jerusalemit nuk kanë efekt ligjor dhe kështu duhet të anulohen.

Të gjitha shtetet gjithashtu nxiten që të mos i zhvendosin misionet diplomatike në qytet.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë midis vendeve që votuan kundër kësaj projektrezolute, ndërkohë pala amerikane kërcënoi me reduktimin e fondeve që i jep organizatës.

Ambasadorja e ShBA-së në OKB, Nikki Haley, shtoi se vendi i saj do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem dhe asnjë votim në OKB nuk mund ta ndryshojë këtë vendim.

Më herët këtë javë, ShBA-ja vuri veton ndaj një projektrezolute mbi statusin e Jerusalemit në Këshillin e Sigurimit, ndërsa të 14 anëtarët e tjerë votuan pro.

Votimi u nxit nga njoftimi i presidentit Donald Trump më herët këtë muaj për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Shqipëria është një prej vendeve që votoi pro rezolutës. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nëpërmjet një deklarate për shtyp theksoi se vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, reflekton pozicionin e pandryshuar për këtë çështje.

"Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jerusalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Europian", thotë deklarata.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten me një shumicë të gjerë rezolutën që dënon njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga ana e Uashingtonit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore