Vende të Lindjes së Mesme: Njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, "pasoja të rrezikshme"

2017-12-07 10:59:01 CRI Komenti juaj Printoni

Një numër i madh shtetesh të Lindjes së Mesme, si Palestina, Turqia, Egjipti etj., si dhe Lidhja Arabe, janë shprehur se vendimi i presidentit Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të shkaktojë "pasoja të rrezikshme".

Zëdhënësi i Presidencës palestineze Nabil Abu Rudainah u shpreh të martën në mbrëmje se pala palestineze e kundërshton me vendosmëri vendimin e ShBA-së për lëvizjen e ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem. Sipas tij, ky vendim do të shkaktojë "pasoja të rënda" për sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme e madje në të gjithë botën.

Po të martën, edhe Presidenca e Egjiptit bëri një deklaratë, ku thuhet se presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi paralajmëron se plani i ShBA-së për lëvizjen e ambasadës nga Tel-Avivi në Jerusalem "do të ndërlikojë gjendjen në Lindjes së Mesme".

Edhe sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe Ahmed Aboul Gheit u shpreh se ky vendim i ShBA-së është një veprim "i rrezikshëm", që do të shkaktojë një ndikim të rëndë mbi sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalin bëri të ditur të mërkurën se presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka ftuar liderët e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të zhvillojnë më 13 dhjetor një takim në Stamboll për të zhvilluar bashkërisht konsultime mbi njohjen nga ShBA-ja të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Erdogani ka paralajmëruar që, në qoftë se ShBA-ja do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, Turqia mund të ndërpresë marrëdhëniet me Izraelin.

Ndërkohë, njoftohet se mbreti i Jordanisë Abdullah II ka biseduar në telefon me presidentin amerikan Trump, duke e paralajmëruar palën amerikane që të mos e lëvizë ambasadën në Jerusalem, duke u shprehur se ky veprim do të shkaktojë "pasoja shumë të rënda". (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore