Linja e re hekurudhore e shpejtësisë së lartë lidh zonat malore dhe ato perëndimore

2017-12-07 10:00:45 CRI Komenti juaj Printoni

Linja hekurudhore e shpejtësisë të lartë në Kinën Perëndimore nisi punën duke lidhur dy provinca të ndara nga një varg malor.

Linja prej 650 kilometrash shkon nga Xi'an-i, kryeqyteti i Shaanxi-së, në Chengdu, kryeqytetin e Sichuan-it.

Linja e sapopëruruar është rruga e parë hekurudhore në Kinë që kalon përmes maleve Qinling, të cilat konsiderohen si një ndarje natyrore midis Kinës veriore dhe asaj jugore.

Realizimi i projektit zgjati pesë vjet, kryesisht për shkak të sfidave gjeografike.

Por, përgjegjësi i stacionit të trenit në Xi'an, Zhang Kejun, tha se nuk duhet të shqetësohemi për asgjë.

"Trajnimi intensiv dhe praktika e vazhdueshme e makinistëve mund të sigurojnë funksionimin e qëndrueshëm të trenave. Gjatë udhëtimit, udhëtarët nuk do të ndiejnë asnjë ndryshim, është sikur të udhëtosh në një terren të sheshtë".

Linja e re përfshin shumë tunele dhe ura, të projektuara për të minimizuar ndikimet mjedisore përgjatë rrugës.

Njëri prej tuneleve është 16 kilometra, me dy binarë dhe konsiderohet një nga më të gjatët në Azi.

Shërbimi hekurudhor, me një shpejtësi maksimale prej 250 km/h do të bëjë që koha e udhëtimit midis dy qyteteve të jetë katër orë e shtatë minuta. Deri në fund të vitit, koha do të shkurtohet edhe më tej, deri në tre orë dhe 27 minuta.

Trenat janë të pajisura me teknologji të avancuar të komunikimit. Shërbimi i internetit në tren ofrohet nga kompania e Wang Bo.

"Mbulimi i plotë i sinjalit 4G siguron internet të shpejtë, shërbim video me cilësi të lartë, për të mos përmendur thirrjet e zakonshme".

Biletat e para të trenit u shitën brenda pesë minutave.

Kina synon që brenda 2020-s të shtojë 10 mijë km hekurudhë dhe të kalojë 45 mijë km deri në vitin 2030.

Mrekulli
Lajmet Kryesore