Kryeministri kinez nxit ndërtimin e linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë midis Kinës dhe Evropës

2017-11-29 19:44:21 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri hungarez Viktor Orban mirëpriti rindërtimin e një linje hekurudhore midis Serbisë dhe Hungarisë të financuar kryesisht nga Kina.

Projekti është pjesë e iniciativës "Një brez një Rrugë" të propozuar nga Kina për të zgjeruar lidhjet tregtare me Evropën, Azinë dhe Afrikën.

Orban komentoi mbi këtë projekt gjatë një konference shtypi me Kryeministrin kinez Li Keqiang në Budapest, i cili ndodhet në Hungari për një vizitë zyrtare dhe për takimin e gjashtë të krerëve të qeverive të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Hekurudha Hungari-Serbi, me një gjatësi totale prej 350 kilometrash, do të lidhë Budapestin me Beogradin, duke zvogëluar kohën e udhëtimit midis dy kryeqyteteve nga tetë në tre orë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban:

"Ne do të na duhet të kryejmë investime të shumta për të cilat ekonomia hungareze apo Bashkimi Evropian nuk ka mjaftueshëm kapital, prandaj me ndihmën e Kinës po financojmë linjën hekurudhore Budapest-Beograd ".

Kryeministri kinez përsëriti pikëpamjen e tij se marrëveshjet midis Kinës dhe 16 vendeve të EQL-së do të "mbështesin lidhjet e dobëta në globalizim".

"Dua të theksoj se bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore është i mirë për zhvillimin e shëndetshëm të globalizimit. Bashkëpunimi ynë është ndër-rajonal dhe lidh dy skajet e Azisë dhe Evropës duke i sjellë njerëzit tanë më afër. Po ashtu, bashkëpunimi ynë ka rritur edhe lidhjet e dobëta në globalizim, që do të thotë zhvillim i pabarabartë midis rajoneve të ndryshme si dhe brenda vendeve të veçanta ".

Të dy zyrtarët gjithashtu nënshkruan marrëveshje të shumta dypalëshe investimesh dhe tregtare.

Kryeministri Li u takua gjithashtu me kryeministren serbe Ana Brnabiç në Budapest, ku edhe nxiti një ritëm më të shpejtë për ndërtimin e Autostradës Tokësore-Detare Kinë-Europë.

Kryeministrja serbe dhe zyrtarët kinezë përuruan të martën ndërtimin e një pjese të kësaj Autostrade në Serbi.

Ndërsa makinat e ndërtimit hoqën simbolikisht një pjesë të hekurudhës së vjetër në periferi të kryeqytetit, Beogradit, Kryeministrja serbe tha se hekurudha e re do të ndihmojë jo vetëm lidhjen e Kinës me Bashkimin Evropian, por dhe Europën si kontinent.

Mrekulli
Lajmet Kryesore