Përvjetori i 105-të i pavarësisë vjen në Pekin me njoftimin e projekteve të reja

2017-11-29 10:09:51 CRI Komenti juaj Printoni
Ndërtimi i 'Korridorit të Kaltër' është një projekt kyç që Shqipëria po e negocion me kompaninë kineze "Pacific Construction", ndërsa të tjerë në sektorin bankar, të aviacionit dhe turizmit janë duke u marrë në konsideratë. Lajmin për to e dha ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, kur përshëndeti të ftuarit në veprimtarinë e kremtimit të 105 vjetorit të pavarësisë në Pekin.

"Korridori Blu që e lidh Shqipërinë me vendet fqinje dhe që kalon në vijën tonë të bukur bregdetare, është një projekt kyç që po negociohet dhe ne shpresojmë përfundimin e shpejtë me rezultate pozitive. Nisma të tjera investimesh po merren në konsideratë në Shqipëri dhe në vendet fqinje," tha ai.

Ambasadori Belortaja vlerësoi edhe miqësinë e thellë e tradicionale midis Kinës e Shqipërisë.

"Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu Republikën Popullore të Kinës. Marrëdhëniet kino-shqiptare pas kësaj dite nuk ishin vetëm marrëdhënie bashkëpunimi midis dy shteteve, por më shumë se kaq, ishte një miqësi e vërtetë dhe ndihme vëllazërorë. Shqiptarët i mbeten përherë mirënjohës ndihmës ekonomike të Kinës. Nga ana tjetër, ne jemi krenarë që roli i Shqipërisë për kthimin e vendit legjitim të Kinës në Kombet e Bashkuara në vitin 1971, njihet gjerësisht nga populli kinez. Ndërkohë, qëndrimi ynë në lidhje me politikën e "një Kine", mbet i pandryshuar. Gjatë dekadave të vështira për të dy vendet, marrëdhënia jonë u bë një shembull i rrallë i miqësisë midis popujve dhe ky është një aset i çmuar që ne duhet ta ruajmë dhe trashëgojmë së bashku."

Belortaja gjithashtu përshëndeti dhe shprehu pjesëmarrjen aktive të vendit tonë në mekanizmin e bashkëpunimit "16+1" dhe nismën "Një brez, një rrugë".

"Kina përfaqëson partnerin tonë të dytë tregtar dhe të investimeve. Mekanizmi '16+1' dhe nisma vizionare 'Një brez, një rrugë", ofrojnë platforma të mëdha e motivuese për bashkëpunimin tonë përmes projekteve me interes të ndërsjellë. Mbi këto, veprimtaria e kompanive kineze në Shqipëri është zgjeruar në sektorë strategjikë si minierat, transporti ajror, dhe nafta ndërsa transporti tokësor dhe bankar po merren në konsideratë."

Për këtë përvjetor pavarësie, Shqipëria u prezantua në Pekin me violinistin shqiptar me famë botërore, Olen Çezari.

Virtuozi ndodhet prej disa javësh në Kinë, ku po zhvillon një turne koncertesh në disa qytete. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore