Kina e Xhibuti vendosin marrëdhënie të partneritetit strategjik

2017-11-24 09:57:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kina dhe Xhibuti kanë rënë dakord për të vendosur marrëdhënie bashkëpunimi të partneritetit strategjik.

Njoftimi vjen pas bisedimeve që presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti i Xhibutit Ismail Omar Guelleh zhvilluan të enjten në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin.

Presidenti Guelleh është kreu i parë i një shteti Afrikan që e viziton Kinën pas Kongresit të 19-të Kombëtar të PKK-së.

Në fjalën e tij, presidenti Xi Jinping tha se Kina u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Xhibutin.

"Kina është e gatshme të punojnë së bashku me Xhibutin për të shpejtuar zbatimin e rezultateve të Samitit të Johanesburgut të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Afrikë (FOCAC), duke nxitur përpara së bashku ndërtimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe."

Xi Jinping u bëri thirrje të dyja palëve që të ruajnë nivelin e lartë të shkëmbimeve dhe të zgjerojnë bashkëpunimin midis dy qeverive, institucioneve ligjvënëse, partive politike dhe qeverive vendore.

Ai shtoi se Kina do të vazhdojë ta ndihmojë Xhibutin për të përmirësuar sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të forcojë zhvillimin e burimeve njerëzore dhe shkëmbimet midis popujve.

Predidenti Guelleh tha nga ana e tij se Xhibuti përshëndet angazhimin e Kinës në misionet paqeruajtëse të OKB-së dhe përpjekjet e saj kundër piraterisë, ndërsa shprehu falënderime për rolin e Kinës për ruajtjen e paqes dhe të prosperitetit.

Në gusht të këtij viti përfundoi ndërtimi i një baze mbështetëse të Kinës në Xhibuti.

Gjatë takimit të së enjtes në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, të dyja palët nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ekonomike, teknologjike dhe bujqësore. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore