Kinë, ligji për tregtinë elektronike në proces hartimi

2017-11-23 21:00:45 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kinë ka filluar procedura e hartimit të ligjit të parë gjithëpërfshirës që rregullon tregtinë elektronike.

Një seminar, i organizuar nga Shoqata e Konsumatorëve të Kinës, u mbajt të enjten për të diskutuar projektligjin dhe mënyrat si mund të mbrohen të drejtat dhe interesat e konsumatorëve.

Ekspertët diskutuan mbi rregullimin e operatorëve të tregtisë elektronike dhe konkurrencën e paligjshme, duke shprehur mendimin se duhet të sqarohen më tej përgjegjësitë e bizneseve në internet për të mbrojtur më mirë konsumatorët.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar vëllimi i përgjithshëm i tregtisë elektronike në Kinë arriti në afro 30 trilionë juanë, duke shënuar një rritje prej 25.5 për qind krahasuar me 2015-n.

Megjithatë, ndërsa ky sektor po e ndryshon jetën e njerëzve, janë krijuar probleme në një numër fushash, duke përfshirë të drejtat e konsumatorëve dhe konkurrencën e ndershme.

Kina e filloi procesin e hartimit të ligjit të tregtisë elektronike në vitin 2013 dhe një projekt është dërguar tani për shqyrtim nga autoritetet ligjore.

Shi Jianzhong, zv.rektor i Universitetit të Shkencave Politike dhe Drejtësisë të Kinës, thotë se një sërë ligjesh të tregtisë elektronike do të ndihmojnë në trajtimin e shumë çështjeve që lidhen ngushtë me jetën e konsumatorëve:

"Shoferët e platformës së rezervimit të makinave në celular 'DiDi' shpesh i anulojnë rezervimet. 'DiDi' nuk pranon të mbajë përgjegjësitë, duke thënë se, si një platformë palë e tretë, ata mund të ndihmojnë vetëm në trajtimin e ankesave për shkeljet e kontratave. Është e qartë se platforma nuk është e përfshirë në transaksionet. Me fjalë të tjera, nuk kemi asnjë bazë ligjore për t'ua ngarkuar atyre përgjegjësinë. Për të trajtuar këtë çështje, ne kemi nevojë për një mekanizëm të ri që rregullon veprimet e platformave që janë palë e tretë."

Avokati nga Pekini Qiu Baochang mendon që ligjvënësit duhet të formulojnë dispozita të mëtejshme mbi përgjegjësitë e përbashkëta të platformave të tregtisë elektronike:

"Projekti parasheh që platformat të kenë përgjegjësi të përbashkëta për të drejtat e pronësisë intelektuale. Tregtarët kanë mbajtur përgjegjësi të plotë kur konsumatorët blinin produkte false ose kur interesat e tyre prekeshin. Sipas ligjit të ri, platformat janë të detyruara të kontrollojnë shkeljet e të drejtave të pronësisë intelektuale. Kjo mund të zgjerohet, duke mbuluar edhe produktet dhe reklamat e rreme. Tregtarët mbajnë një pjesë të përgjegjësive bazuar në rregullat e platformës."

Yang Xiaojun, sekretar i Shoqatës së Konsumatorëve të Pekinit, thotë se llojet e reja të transaksioneve, siç janë ato të bëra nëpërmjet "We Businesses", ose bizneset e vogla të drejtuara nga individët nëpërmjet mediave sociale, gjithashtu duhet të rregullohen.

"Deri më tani nuk ka pasur përkufizime zyrtare për 'We Businesses'. Por në këto platforma të tregtisë elektronike po shfaqen po ashtu probleme, siç janë produktet false, mallrat me probleme dhe shitjet piramidale. Prandaj, ne mendojmë se ligji duhet të mbulojë edhe këto lloje të reja transaksionesh."

Shoqata e Konsumatorëve të Kinës, organizatore e seminarit, do t'ia paraqesë sugjerimet Asamblesë Kombëtare Popullore për shqyrtim të mëtejshëm.

Mrekulli
Lajmet Kryesore