Fluturimi i parë i Kinës me biokarburant mbërrin në aeroportin e Çikagos

2017-11-23 11:35:54 CRI Komenti juaj Printoni

Një avion Boeing 787 i kompanisë ajrore Hainan me karburant biologjik u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Chicagos, O'Hare, pas fluturimit prej mbi 11.000 kilometrash nga Pekini.

Karburanti bio është prodhuar nga mbetjet e vajit të përdorur për gatim, të përpunuar nga kompania Sinopec.

Presidenti i kompanisë "Hainan Airlines", Sun Jianfeng, i cili shërbeu dhe si kapiten i fluturimit, tregon përparësitë e përdorimit të këtij karburanti.

"Fluturimi ishte shumë i qëndrueshëm dhe i suksesshëm. Pas fluturimit në një lartësi maksimale prej 41 mijë këmbësh, ne vumë re se motori punonte më së miri dhe karburanti ishte po në gjendje të mirë, pasi ky ishte edhe qëllimi i këtij eksperimenti ajror".

Ai shtoi se kompania ajrore ka aftësi për të kryer fluturime ndëroqeanike duke përdorur biokarburantin.

Drejtori i Strategjisë së karburanteve të qëndrueshme i Boeing-ut, Darrin Morgan, tha se fluturimi i "Hainan Airlines"-it është një arritje e rëndësishme.

"Karburantet ajrore të qëndrueshme të prodhuara ditët e sotme kanë një strukturë të përparuar. Ato nuk janë të qëndrueshme vetëm nga perspektiva mjedisore, por janë më të mira nga një perspektivë teknike dhe kjo është një arritje vërtet e madhe. Ky zhvillim është bërë tashmë realitet, nuk është thjeshtë një aspiratë. Tani është një realitet tregtar."

"Hainan Airlines" filloi fluturimet eksperimentale me biokarburant në vitin 2013 dhe e realizoi fluturimin e parë me pasagjerë brenda vendit në vitin 2015.

Për fluturimin e së martës, karburanti ishte 15 përqind biologjik dhe 85 përqind karburant i rregullt për avionë.

Kompania "Sinopec Zhenhai Refining & Chemical" mund të përpunojë deri në 100,000 ton mbetjesh vaji gatimi për çdo vit.

Kina konsumon rreth 30 milionë ton karburant avionësh çdo vit. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore