BNT: Teknologjia dixhitale vijon të ushtrojë ndikim mbi shoqërinë njerëzore

2017-11-16 22:33:50 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit publikoi të mërkurën në Gjenevë, raportin e matjes së shoqërisë së informacionit për vitin 2017. Dokumenti vë në dukje se zhvillimi i përbashkët i internetit, sektorit të dhënave të mëdha, llogaritjes Cloud e inteligjencës artificiale do të nxitë risinë dhe do të ndryshojë nga themeli tregtinë, qeverisjen dhe shoqërinë duke e përmirësuar jetën e njerëzve.

Ky është raporti i 9-t i matjes së shoqërisë së informacionit i bërë nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe konsiderohet si raporti me autoritetin më të lartë për gjendjen e zhvillimit të informacionit dhe të telekomunikacionit në botë. Ai është dhe pikë referimi i rëndësishëm i qeverive të vendeve të ndryshme, të organizatave ndërkombëtare, të bankave, të kompanive private e të investitorëve globalë.

Një zbulim i rëndësishëm në raportin e vitit 2017 është që zhvillimi i vazhdueshëm i celularëve e i internetit të lëvizshëm ka zgjeruar më tej sferën e përdorimit të teknologjisë së informacionit e telekomunikacionit. Siç mësohet nga shefi i degës europiane të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Jaroslaw Ponder, sot 50% e popullsisë globale përdor rrjetin 3G ose 4G.

Në raportin e fundit publikohet lista e fundit e treguesve të zhvillimit të teknologjisë së informacionit e telekomunikacionit dhe radhiten 10 ekonomitë e para: Islanda, Republika e Koresë, Zvicra, Danimarka, Britania, rajoni i Hong Kong-ut, Holanda, Norvegjia, Luksemburgu e Japonia. SHBA-ja radhitet në vendin e 16-të dhe Kina është në vendin e 80-të.

Jaroslaw Ponder vuri në dukje se pavarësisht zhvillimit të shpejtë të teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikacionit, ekziston ende një hendek dixhital midis vendeve e rajoneve të ndryshme.

Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Zhao Houlin, u shpreh se raporti i sivjetshëm tregon se teknologjia e informacionit e telekomunikacionit mund ta zbukurojë botën duke dhënë kontribut për realizimin e objektivit të OKB-së për zhvillimin e vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë, tha ai, duhet të bëjmë përpjekje për të përballuar sfidat që sjell hendeku digjital. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore