Kontratat e nënshkruara Kinë-ShBA, nivel rekord në histori

2017-11-14 10:34:31 CRI Komenti juaj Printoni

Zëvendësministri i Tregtisë i Kinës Yu Jianhua tha se marrëveshjet rekord të nënshkruara gjatë vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Kinë janë reciprokisht të dobishme dhe takimet midis dy udhëheqësve të lartë kanë krijuar kushte të favorshme për bashkëpunimin e mëtejshëm midis kompanive dypalëshe.

Yu Jianhua theksoi se numri i lartë i marrëveshjeve që u nënshkruan kohët e fundit do të sjellë përfitime për të dy palët.

"Dy presidentët ishin të pranishëm në nënshkrimin e 34 marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit me vlerë të përgjithshme prej 253.5 miliardë dollarësh amerikanë. Ne gjithashtu nënshkruam një marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin e energjisë me Alaskën. Me t'u zbatuar kjo marrëveshje, bashkëpunimi do të hapë 70 mijë vende të reja pune në ShBA dhe nga ana tjetër do të ndihmojë Kinën të reduktojë 80 milionë tonë shkarkim të karbonit."

Ndër marrëveshjet e bashkëpunimit që u nënshkruan gjatë vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, përveç blerjeve nga Kina të avionëve Boeing, automjeteve Ford dhe sojës së ShBA-së, energjetika zë një pjesë të madhe. Marrëveshja për eksplorimin e përbashkët të gazit natyror të lëngshëm në Alaskë kap vlerën e 43 miliardë dollarëve. Krahas kësaj, kompania kineze "Shenhua" dhe shteti i Virxhinias nënshkruan një marrëveshje kornizë për eksplorimin e gazit rreshpor me vlerë prej 83.7 miliardë dollarësh amerikanë.

Gjithashtu si rezultat i takimeve dypalëshe, Xi Jinping vuri në dukje se Kina do të ofrojë një mjedis më të hapur, më transparent dhe më të rregullt për biznesin e kompanive amerikane në tregun kinez.

Në këtë linjë, Yu Jianhua nënvizoi se lehtësimi i kufizimeve ndaj investimeve të huaja përputhet me politikën themelore të Kinës për hapjen ndaj botës së jashtme.

"Sa i përket qasjes në treg, do të ketë masa të reja në banka, letra me vlerë, fonde dhe tarifa për automjetet. Nga këto marrëveshje do të përfitojnë jo vetëm Kina e ShBA-ja, por edhe vende të tjera."

Yu Jianhua shtoi se duke parë rritjen e shpejtë të tregtisë dypalëshe, dallimet tregtare janë të pashmangshme dhe mosmarrëveshjet duhet të trajtohen siç duhet.

Statistikat zyrtare tregojnë se tregtia dypalëshe dhe investimet në mallra e shërbime midis Kinës dhe ShBA-së kanë regjistruar një rritje vjetore prej 750 miliardë dollarësh amerikanë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore