2017-10-27 10:14:01 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në Kongresin e 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës që u mbyll ditët e fundit, u miratua edhe rezoluta mbi ndryshimet në Statutin e PKK-së. Nxitja e zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë" është përfshirë tashmë në këtë Statut. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Geng Shuang u shpreh të enjten në një konferencë shtypi se një gjë e tillë do të gjallërojë bashkëpunimin e palës kineze me palët e tjera për të vënë në jetë nismën "Një brez, një rrugë", duke nxitur formimin e një modeli të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe krijimin e komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit.
"Në raportin e tij të mbajtur në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së, Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping theksoi se duhet të vëmë në fokus ndërtimin e 'Një brez, një rrugë'; të ndjekim parimet e konsultimeve të përbashkëta, ndërtimit të përbashkët dhe përfitimit të përbashkët; të forcojmë aftësinë e inovacionit dhe të zhvillojmë bashkëpunim të hapur, duke krijuar një model të hapur bashkëpunimi dhe të ndihmës reciproke mes Lindjes dhe Perëndimit. Në rezolutë vihet në dukje qartë se futja e shprehjes "nxitja e zbatimit të nismës 'Një brez, një rrugë'" në Statuin e Partisë tregon plotësisht vendosmërinë dhe besimin e Kinës që, nën udhëheqjen e PKK-së, t'i kushtojë një rëndësi të madhe ndërtimit të 'Një brez, një rrugë' dhe të ngul këmbë për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me këtë nismë," u shpreh Geng Shuang.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri në dukje gjithashtu se, që prej shpalljes së nismës "Një brez, një rrugë", zbatimi i saj ka pasur një ecuri të mbarë, duke gjetur përkrahjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare dhe duke arritur bashkëpunimin e gjithnjë e më shumë vendeve. Geng theksoi:
"Ne jemi të bindur se, me thellimin e pandërprerë të nismës 'Një brez, një rrugë', jo vetëm do të krijohet një hapësirë më e madhe për hapjen dhe zhvillimin e Kinës, por edhe do të ofrohen mundësi më të shumta për zhvillimin e vendeve të ndryshme dhe forcimin e ekonomisë botërore. Ne dëshirojmë që të punojmë së bashku me palët e ndryshme, duke ngulur këmbë në konsultimet e përbashkëta, në ndërtimin e përbashkët dhe në përfitimet e përbashkëta dhe duke dhënë kontribut për krijimin e komunitetit të fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe të një bote me paqe të përjetshme, me siguri të përgjithshme, me begati të përbashkët dhe të bukur e të pastër." (Du)