Video/Intervista e ambasadorit të Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja

2017-10-23 20:01:08 CRI Komenti juaj Printoni

Ndërsa në Pekin kanë filluar punimet e Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste, diplomatë të ndryshëm të atashuar këtu kanë filluar të mendojnë dhe strategjitë e bashkëpunimit me Kinën. Ambasadori i Shqipërisë në Pekin Selim Belortaja tha për CRI Shqip se tani është e nevojshme që të hartohen projekte konkrete pasi të dy vendet janë të lidhur nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit "16+1".

"Unë mendoj se duhet punuar më fort në drejtim të gjetjes së modelit të bashkëpunimit i cili do të duhet të pajtojë modelin kinez të punës dhe të menaxhimit ekonomik dhe të realizimit të marrëveshjeve dhe të kontratave me modelin tonë të punës, i cili sigurisht është i drejtuar nga një legjislacion tjetër, ndaj pajtueshmëria e legjislacionit përbën një sfidë të vërtetë për ekspertët, menaxherët dhe politikëbërësit e të dy vendeve. Të dy vendet mendoj se janë të ndërgjegjësuar për nevojë e kësaj sipërmarrjeje," tha Belortaja.

Ambasadori Belortaja nënvizon se përfshirja e Shqipërisë në mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kinës përbën një shans të dytë që nuk duhet humbur.

Intervista e plotë:

1- Si e vlerësoni ju rolin e Partisë Komuniste të Kinës për zhvillimin e shpejtë të vendit vitet e fundit?

Unë së pari ndihem i privilegjuar që ndjek nga afër zhvillimin e një Kongresi kaq të rëndësishëm, i cili bën bilancin e një zhvillimi shumë domethënës për Kinën. Por Kongresi është i rëndësishëm jo vetëm për Kinën, por edhe për bashkëpunëtorët ndërkombëtarë të Kinës ku përfshihet edhe vendi im dhe për këtë arsye, gjetjet dhe analiza e Kongresit, ndiqet me shumë interes edhe prej nesh për shkak se ai lidhet me stabilitetin dhe vazhdimësinë e marrëdhënieve shumë të mira që kemi filluar. Kongresi po vë pikat mbi i dhe po nënvizon disa nga tiparet themelore të zhvillimit të Kinës në këto 5 vjet dhe njëkohësisht hap horizontin për vazhdimësinë dhe zhvillimet e reja në të ardhmen.

Sukseset e zhvillimit të Kinës në këta 5 vjet janë të qarta dhe të padiskutueshme. Ato janë bazuar me shumë korrektesë në katër shtyllat e strategjisë gjithëpërfshirëse të Kinës të shpallura që në Kongresin e 18-të si zhvillimi i një shoqërie kineze përgjithësisht të begatë, e dyta thellimi i reformave të ndërmarra, reforma këto shumë ambicioze dhe të shtrira në të gjitha fushat, e treta garantimi i një qeverisjeje të bazuar në ligjshmëri dhe ky është një tjetër hap modernist përpara dhe së katërti forcimi i disiplinës në parti që është një çështje e brendshme e Kinës.

2- Në 5 vitet e kaluar, Kina ka propozuar nismën "Një brez, një rrugë", ka themeluar Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore. Gjithashtu vendi ka ndjekur një politikë të jashtme gjithëpërfshirëse me karakteristika kineze, të pavarur e paqësore. Si e vlerësoni qasjen diplomatike të presidentit Xi Jinping në këtë periudhë?

Angazhimi i veçantë dhe roli jashtëzakonisht i rëndësishëm i presidentit Xi Jinping në ndërmarrjen e nismave rajonale dhe globale, në hapjen e Kinës dhe një politikë gjithëpërfshirëse sa u përket aspekteve tregtare dhe ekonomike, është një fakt i padiskutueshëm dhe i lexueshëm nga kushdo. Për këtë arsye ne jemi shumë të interesuar në gjetjet dhe vazhdimësinë e këtij Kongresi sepse ai do të jetë dhe Kongresi i hapjes së mëtejshme dhe i bashkëpunimit të mëtejshëm me vende si i yni. Nuk janë vetëm këto dy nisma, por ka dhe të tjera. Ne në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" në maj ne patëm forumin e parë të madh të rëndësishëm të nivelit të Samitit të "Një brez, një rrugë", ku Shqipëria për shembull konfirmoi në mënyrë zyrtare angazhimin, pjesëmarrjen dhe interesin e saj për t'u bërë pjesë dhe për të kontribuuar. Por kemi dhe nisma të tjera rajonale që nuk lidhen direkt me rajonin tonë me Europën Juglindore, siç janë nisma e BRICS-it, ku presidenti Xi Jinping dhe Kina duket se po luajnë në rol lider në zhvillimin e kësaj organizate të fuqishme dhe shumë të madhe, procesi i Shanghait me vendet e Azisë Qendrore në një përpjekje për të koordinuar axhendat e tyre, janë gjithashtu një faktor zhvillimi dhe stabiliteti dhe shumë nisa të tjera më të vogla rajonale.

3- Zoti ambasador, ju si një ekspert i çështjeve ekonomike dhe një analist i diplomacisë ekonomike, cila mendoni se është pika kryesore e punimeve të këtij Kongresi në lidhje me zhvillimin ekonomik të Kinës?

Ajo që më ka rënë së sy kësaj radhe si tezë themelore e politikës së zhvillimit ekonomik të ardhshëm të Kinës, mund të përmblidhet në tre terma: novacion, konkurrueshmëri, efikasitet. Me sa duket Kina dhe udhëheqja e saj e ka kuptuar mirë se koha e industrive tradicionale është ezauruar dhe kapacitet industriale duhen rishpërndarë e riformuar dhe prirja drejt novacionit dhe industrive krijuese, start-up-ve me ide të reja, efikase dhe dobiprurëse e mbi bazën e konceptit të përfitimit të dyanshëm është gjetja më e mirë në mendimin tim.

Ajo që më bën përshtypje më shumë në shpalosjen e reformës nga presidenti Xi Jinping, është lidhja me jetën e njeriut dhe standardin e jetesës së familjes kineze. Këtu nuk flitet thjeshtë me fjalë të mëdha, por të gjitha parimet e strategjisë së përgjithshme, drejtimet kryesore, ambicia e një rilartësimi të kombit kinez apo zhvillimin e mëtejshëm të socializmit me karakteristika kineze apo thellimin e reformave dhe rritjen e begatisë: të gjitha lidhen me një nënvizim të fortë. Gjithçka duhet të shkojë në dobi të familjes kineze, të çdo individi. Pra të gjithë progresin duhet ta ndjejë qytetari kinez dhe ndoshta kjo është gjëja që duhet nënvizuar fort te kontributi i presidentit Xi Jinping dhe unë këtë e përshëndes sigurisht.

4- Në raportin e punës të Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping tha se Kina ka hyrë në një epokë të re dhe nuk do të mbyllë dyert e saj për botën. Si mendoni se Shqipëria duhet të përfitojë nga ky nivel zhvillimi i Kinës?

Si ambasadori i një vendi mik dhe me një marrëdhënie shumë të mirë tradicionalisht me Kinën, unë sigurisht e mirëpres dhe dhe kam kënaqësi të madhe të dëgjoj që politika e hapjes dhe e përfshirjes e bashkëpunimit me vendet me të cilat Kina nuk ka probleme siç është dhe Shqipëria, do të vazhdojë dhe në të ardhmen dhe madje do të ketë një rritëm të ri të hapjes dhe integrimit, bazuar në konceptin e përfitimit të dyanshëm. Ky ndoshta është lajmi më i mirë për ne të huajt që ndjekin zhvillimet e Kongresit.

Platformat e bashkëpunimit janë konsoliduar tani nga pikëpamja doktrinare dhe e mekanizmave, janë pasuruar me mekanizma financiare. Ajo që mbetet tani sfidë e këtyre mekanizmave është pasurimi me projekte konkrete. Ka shumë projekte konkrete veçanërisht në vendet fqinje me Kinën, por më pak projekte shohim të jenë në rrugën e zbatimit në vendet e largëta, siç është dhe Shqipëria dhe ne do të donim që të shikonim më shumë projekte aktive në rajonet tona, sigurisht bazuar në principet e përfitimit dhe interesit reciprok. Për këtë dhe ne si ambasadë kemi reflektimet tona, vrasim mendjen se si mund të kontribuojmë që të shndërrojmë platforma të tilla të mëdha të fuqishme e vizionare e funksionale në dobi të popujve të të dy vendeve.

Unë mendoj se duhet punuar më fort në drejtim të gjetjes së modelit të bashkëpunimit i cili do të duhet të pajtojë modelin kinez të punës dhe të menaxhimit ekonomik dhe të realizimit të marrëveshjeve dhe të kontratave me modelin tonë të punës, i cili sigurisht është i drejtuar nga një legjislacion tjetër, ndaj pajtueshmëria e legjislacionit përbën një sfidë të vërtetë për ekspertët, menaxherët dhe politikëbërësit e të dy vendeve. Të dy vendet mendoj se janë të ndërgjegjësuar për nevojën e kësaj sipërmarrjeje.

Gjetja e investitorëve mbetet prioriteti i parë, por kurrë më parë nuk është theksuar me kaq forcë nga qeverie e re e zotit (Edi ) Rama, i cili theksoi se kjo duhet të jetë detyra kryesore e shërbimit të jashtëm dhe e diplomacisë shqiptare. Unë e kam më të lehtë të përshtatem në këtë klimë të re sepse kam punuar gjithmonë në sektorin e diplomacisë ekonomike e të marrëdhënieve me jashtë. Sigurisht kam krenarinë që kam kontribuar, por edhe keqardhjen që është bëtë kaq pak në terma konkrete dhe për këtë arsye ndjej edhe detyrimin të bëj dhe më shumë dhe kam shansin të punoj të një mjedis i cili është shumë i dëshiruar të zgjerojë marrëdhëniet me vendet e tjera e posaçërisht me Shqipërinë.

Baza e marrëdhënieve Kinë – Shqipëri është shumë e fuqishme dhe solide. Ajo zë fill me traditën e jashtëzakonshme dhe të shkëlqyer që kemi pasur në shkëmbimet tregtare, veçanërisht në të kaluarën dhe në investimet kineze, sigurisht në një kontekst tjetër. Por ky është një shans i dytë të cilin ne nuk duhet ta humbasim sepse këto platforma që parashtrohen sot, janë ndoshta mënyra më e mirë dhe baza më e mirë për të promovuar shkëmbime konkrete. Mbetet detyrë e të gjithë niveleve që t'i shpjegojnë më mirë këto shanse që ofrojnë platformat e reja në mënyrë që të motivojmë projektet konkrete.

Mrekulli
Lajmet Kryesore