2017-10-23 19:54:58 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Presidenti kinez Xi Jinping ka deklaruar hyrjen e Kinës në një "epokë të re" gjatë Kongresit Kombëtar të PKK-së që po vazhdon punimet në Pekin.
Analistë të huaj shprehen optimistë për zhvillimin e ardhshëm të Kinës, duke thënë se Kina po i jep energji pozitive rritjes globale, ndërsa shumë pjesë të tjera të botës po përjetojnë ndryshime dhe pasiguri.
Një sondazh i kohëve të fundit nga firma franceze e konsulencës "Ipsos" tregon se mbi 80 për qind e njerëzve në Kinë janë optimistë për zhvillimin e ardhshëm të vendit, shifra më e lartë ndërmjet 26 vendeve të përfshira në sondazh.
Një numër ekspertësh e analistësh janë shprehur se, me programin e reformave dhe fushatën kundër korrupsionit, Kina do të vazhdojë rrugën e saj të zhvillimit të qëndrueshëm, duke qenë një model për pjesën tjetër të botës.
Simon Khaya Moyo, zyrtar i lartë në partinë në pushtet në Zimbabve, Bashkimi Kombëtar Afrikan i Zimbabves - Fronti Patriotik, shprehet që fushata antikorrupsion e nisur nga qeveria kineze jep një shembull të mirë për vendin e tij:
"Ne i admirojmë veprimet që kanë ndërmarrë ata për të luftuar korrupsionin. Ne po e luftojmë korrupsionin këtu, por kjo nuk është një gjë e lehtë. Duhet të mësojmë nga përvoja juaj dhe e atyre që janë drejtpërdrejt përgjegjës në këtë fushë".
Presidenti i Kinës dhe Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping ka bërë thirrje në Kongres për krijimin e një komuniteti fatesh të përbashkëta dhe ka theksuar se Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni apo ekspansion.
Lidhur me politikën e jashtme, Xi Jinping-u tha se Kina do të vazhdojë politikat e saj të hapjes, do të marrë pjesë aktive në qeverisjen globale, do të mbështesë demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe do të japë ndihmesën e vet për komunitetin ndërkombëtar.
Laurie Pearcey, zv.kancelari i Universitetit të Uellsit të Ri Jugor të Australisë, mendon që Kina ndihmon për globalizimin në kushtet e sfidave të shumta me të cilat ballafaqohen pjesë të tjera të botës:
"Raporti i Xi Jinping-ut tregon interesin e Kinës për angazhimin ndërkombëtar dhe këto ditë, kur udhëheqja kineze flet për ekonominë kineze, drejtimin politik të Kinës dhe sidomos interesat globale në rritje të Kinës, atëherë gjithë bota dëgjon. Kina po luan një rol shumë më të rëndësishëm në formësimin e ligjërimit shoqëror global për çështjet ndërkombëtare".
Lydia Samarbakhsh nga Partia Komuniste e Francës, thotë se Kongresi i PKK-së tregon vendosmërinë e Kinës për marrjen e përgjegjësive për trajtimin e çështjeve globale:
"Dallimet midis vendeve të ndryshme janë zgjeruar, por propozimi i Kinës mund t'i ndihmojë vendet të ribashkohen. Askush në botë nuk mund të jetojë i vetëm me dinjitet pa njerëzit e tjerë, prandaj që të gjithë duhet të punojmë së bashku për të hequr pengesat politike, duke ndryshuar një gjendje të keqe. Vetëm nëse arrijmë këtë, ne mund ta përmirësojmë jetesën e njerëzve në një nivel të ri dhe të përmbushim nevojat e njerëzve për gjëra të tilla si shëndetësia, arsimi, transporti dhe kështu me radhë ".
Vëzhgues e analistë të tjerë kanë vënë në dukje se angazhimi dhe arritjet e vendit më të madh në zhvillim dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë janë premtuese për ekonominë globale.