2017-10-20 10:12:58 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping u ka bërë thirrje anëtarëve të PKK-së dhe pjesëtarëve të të gjitha kombësive të vendit ta çojnë socializmin me karakteristika kineze në një epokë të re.
Gjatë një diskutimi të enjten me delegatë nga provinca Guizhou, që ndodhen në Pekin për të marrë pjesë në Kongresin Kombëtar të PKK-së, z. Xi shprehu vlerësim për zhvillimin e Guizhou-t gjatë pesë vjetëve të fundit. Ai tha se socializmi me karakteristika kineze është duke hyrë tani në një "epokë të re".
Sekretari i Përgjithshëm u tha delegatëve nga Guizhou se duhet të bëhen përpjekje për të trajtuar çështjen e zhvillimit të paekuilibruar dhe për të përmbushur nevojat gjithnjë në rritje të njerëzve për një jetë më të mirë.
Duke e vënë theksin në udhëheqjen e vendosur të Partisë, Xi vuri në dukje se kjo është garancia themelore për Rilindjen e Madhe të Kombit Kinez:
"Ne duhet të hedhim themele të forta për forcimin e Partisë në nivel bazë. Siç është thënia: 'Pa themele të forta, toka dridhet dhe malet tunden'. Përpjekjet për uljen e varfërisë kërkojnë udhëheqjen e organizatave të Partisë në bazë me kapacitete të mëdha. "
Provinca Guizhou në jugperëndim të Kinës, ka numrin më të madh të të varfërve në vend.
Xi Jinping-u nxiti bërjen e përpjekjeve më të mëdha në luftën kundër varfërisë:
"Çelësi për të arritur objektivin e njëqindvjeçarit të parë qëndron në luftën ndaj varfërisë. Nëse qëndron në serrë, mund të rritesh vetëm ngadalë. Duhet të shkosh në vijën e parë të frontit për ta provuar veten. Ndërkohë, duhet të jemi të rreptë dhe të drejtë në dhënien e shpërblimeve dhe të ndëshkimeve."