Ambasadori Belortaja, Shqipëria nuk duhet ta humbë shansin e dytë me Kinën

2017-10-20 18:03:55 CRI Komenti juaj Printoni

Ndërsa në Pekin kanë filluar punimet e Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë Komuniste, diplomatë të ndryshëm të atashuar këtu kanë filluar të mendojnë dhe strategjitë e bashkëpunimit me Kinën. Ambasadori i Shqipërisë në Pekin Selim Belortaja tha për CRI Shqip se tani është e nevojshme që të hartohen projekte konkrete pasi të dy vendet janë të lidhur nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit "16+1".

"Unë mendoj se duhet punuar më fort në drejtim të gjetjes së modelit të bashkëpunimit i cili do të duhet të pajtojë modelin kinez të punës dhe të menaxhimit ekonomik dhe të realizimit të marrëveshjeve dhe të kontratave me modelin tonë të punës, i cili sigurisht është i drejtuar nga një legjislacion tjetër, ndaj pajtueshmëria e legjislacionit përbën një sfidë të vërtetë për ekspertët, menaxherët dhe politikëbërësit e të dy vendeve. Të dy vendet mendoj se janë të ndërgjegjësuar për nevojë e kësaj sipërmarrjeje," tha Belortaja.

Ambasadori Belortaja nënvizon se përfshirja e Shqipërisë në mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kinës përbën një shans të dytë që nuk duhet humbur.

"Baza e marrëdhënieve Kinë – Shqipëri është shumë e fuqishme dhe solide. Ajo zë fill me traditën e jashtëzakonshme dhe të shkëlqyer që kemi pasur në shkëmbimet tregtare, veçanërisht në të kaluarën dhe në investimet kineze, sigurisht në një kontekst tjetër. Por ky është një shans i dytë të cilin ne nuk duhet ta humbasim sepse këto platforma që parashtrohen sot, janë ndoshta mënyra më e mirë dhe baza më e mirë për të promovuar shkëmbime konkrete. Mbetet detyrë e të gjithë niveleve që t'i shpjegojnë më mirë këto shanse që ofrojnë platformat e reja në mënyrë që të motivojmë projektet konkrete," theksoi ai.

Presidenti kinez Xi jinping, tha në Kongresin e 19-të se "dyert e hapura të Kinës nuk do të mbyllen, por përkundrazi do të hapen më tej. Për ambasadorin Belortja, ky është lajmi më i mirë nga Kongresi.

"Platformat e bashkëpunimit janë konsoliduar tani nga pikëpamja doktrinare dhe e mekanizmave, janë pasuruar me mekanizma financiare. Ajo që mbetet tani sfidë e këtyre mekanizmave është pasurimi me projekte konkrete," tha ambasadori. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore