Emiri i Katarit kërkon dialog për t'i dhënë fund krizës së Gjirit

2017-10-19 10:14:56 CRI Komenti juaj Printoni
Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad al-Thani bëri thirrje të mërkurën për dialog për të zgjidhur krizën e vazhdueshme të Gjirit.

Në qershor, Arabia Saudite dhe disa vende të tjera të Gjirit morën masa për shkëputjen e lidhjeve diplomatike dhe izolimin e Katarit, duke e akuzuar Dohën për mbështetje të grupeve ekstremiste islamike dhe forcimin e lidhjeve me Iranin.

"Katari është gati të nisë dialogun për zgjidhjen e çështjes", tha al-Thani për gazetarët, pas bisedimeve me presidentin indonezian, Joko Widodo në pallatin presidencial në Bogor, në jug të Xhakartës.

Lideri i Katarit tha se askush nuk mund të përfitojë nga mosmarrëveshjet. "Ne jemi të gjithë vëllezër dhe po vuajmë për shkak të krizës", shtoi ai.

Katari ka mohuar mbështetjen e ekstremistëve. Vendi i vogël ndan rezervat e gazit natyror me Iranin dhe lidhjet mes dy vendeve janë forcuar më shumë si rezultat i bojkotit.

Ministri i Jashtëm indonezian, Retno Marsudi tha se Joko dhe al-Thani diskutuan mbi çështjen e bashkëpunimit duke përfshirë atë në fushën e infrastrukturës dhe turizmit. (ATSH/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore