2017-10-18 12:49:20 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Xi Jinping theksoi të mërkurën se Partia Komuniste e Kinës (PKK) ka vendosmërinë, besimin dhe aftësinë për të mposhtur përpjekjet separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" të çdo forme.
PKK-ja është e vendosur në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës dhe kurrë nuk do të lejojë që tragjedia historike e ndarjes kombëtare të përsëritet, tha Xi ndërsa komunikoi një raport në sesionin e hapjes të Kongresit Kombëtar të 19-të të PKK-së.
"Ne kurrë nuk do të lejojmë asnjë individ, organizatë apo parti politike, në asnjë moment apo formë, të ndajë ndonjë pjesë të territorit nga atdheu," tha ai.
"Njohja e fakteve historike siç është Konsensusi i vitit 1992 se të dy palët i përkasin një Kine hap rrugën për zhvillimin e dialogut dhe adresimin e shqetësimeve të popujve që jetojnë në të dy anët e ngushticës. Në këtë mënyrë asnjë parti politike apo grup në Tajvan nuk do të kenë vështirësi për të pasur shkëmbime me pjesën kontinentale," tha ai.
Konsensusi i vitit 1992 mishëron parimin e 'Një Kine' dhe përcakton thelbin e marrëdhënieve midis dy brigjeve të ngushticës.
Popujt e dy palëve janë të inkurajuar të punojnë së bashku për të promovuar kulturën kineze.
"Një shtet, dy sisteme" është parimi më i mirë për ruajtjen e zhvillimit dhe të stabilitetit afatgjatë të Hong Kongut dhe Makaos, tha të mërkurën presidenti Xi Jinping në raportin e Kongresit të 19-të.
"Qeveria qendrore mbështet qeveritë e rajoneve të posaçme administrative që të zbatojnë detyrat e tyre sipas ligjit dhe të ndërmarrin veprime aktive për përmirësimin e nivelit të jetesës së popullit," tha Xi në raportin e tij.
Sekretari i përgjithshëm bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e procesit demokratik për të ruajtur stabilitetin shoqëror, mbrojtur kushtetutën, sovranitetin, sigurinë dhe interesat e vendit.
Xi premtoi politika dhe masa lehtësuese për hyrjen e qytetarëve të Hong Kongut dhe Makaos në krahinat e brendshme të vendit.
Në raport theksohet parimi "qeverisja e Hong Kongut nga hongkongasit" dhe "qeverisja e Makaos nga qytetarët e Makaos". (Jiang Lei/Leftion Peristeri)