2017-10-16 09:57:40 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës ka tërhequr vëmendjen e mbarë komunitetit ndërkombëtar.
Udhëheqës dhe ekspertë kanë përgëzuar arritjet e Kinës në 5 vitet e fundit.
Shumë prej tyre theksuan arritjet në zhvillimin ekonomiko-shoqëror, si dhe kontributet që Kina ka dhënë për zhvillimin e botës.
Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim, foli gjithashtu me nota të larta për përpjekjet e Kinës në uljen e varfërisë dhe shprehu pritshmëri të lartë për Kongresin e 19-të të PKK-së.
"Pjesa më e madhe e përparimit që është realizuar për zbutjen e varfërisë nga 40 për qind në më pak se 10 për qind, ndodhi në Kinë, prandaj ne gjithnjë jemi në kërkim të mësimit nga kjo përvojë e Kinës. Jam i mendimit se Kina është shumë e qartë në drejtimet që po shkon. Ne jemi të gjithë në pritje për përfundimin e kongresit të Partisë".
Ambasadori i ri i Francës në Kinë Jean-Maurice Ripert u shpreh se vendi i tij do të ndjekë nga afër zhvillimet e Kongresit të 19-të.
Diplomati tha se Franca dhe Kina mund të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
"Çështja e mjedisit zë një vend të rëndësishëm në politikat e qeverisë franceze. Shpresoj se në të ardhmen, nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, Kina do të vijojë rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të transformimit ekologjik. Ndërkohë, Pekini dhe Parisi mund të forcojnë bashkëpunimin në këto aspekte. Dhe siç e shihni, bashkëpunimi ynë ka luajtur një rol shumë domethënës në Konferencën e Parisit për Ndryshimin e Klimës." (Albana)