2017-10-11 10:22:31 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Shifrat e sapo prezantuara tregojnë se rritja ekonomike e Kinës që nga kongresi i fundit i Partisë Komuniste në vitin 2012 ka rritur në masë të madhe fuqinë ekonomike të vendit në skenën botërore.
Të dhënat e Byrosë Kombëtare të Statistikave tregojnë se norma vjetore e rritjes së PBB-së së Kinës nga viti 2013 në vitin 2016 ka qenë 7.2 për qind.
Kjo krahasohet me normën globale të rritjes prej 2.6 për qind dhe me një normë rritjeje prej 4 për qind në tregjet në zhvillim gjatë së njëjtës periudhë.
Kreu i byrosë, Ning Jizhe thotë se me rritjen e qëndrueshme ekonomike, Kina ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në rritjen ekonomike globale.
"Në vitin 2016, PBB-ja e Kinës arriti në 11.2 trilionë dollarë amerikanë, që përbën gati 15 për qind të totalit botëror, duke u renditur si vendi i dytë në botë. Ndërmjet viteve 2013 dhe 2016, Kina gjithashtu dha kontributin më të madh në rritjen globale, mesatarisht me rreth 30 për qind në vit. Kjo është më e madhe se kontributi i dhënë nga ShBA-ja, eurozona dhe Japonia të marra së bashku."
Ndërkohë, Ning Jizhe thotë se mbajtja nën kontroll e papunësisë dhe inflacionit ka ndihmuar që ekonomia e Kinës të mbetet në gjendje të mirë.
"Pra, për sa i përket rritjes së punësimit dhe çmimeve, vitet e fundit ato kanë pasur një avantazh të madh për shkak të rritjes mesatare vjetore ekonomike prej 7.2 për qind. Një normë relativisht e ulët inflacioni prej 2 për qind dhe shkalla relativisht e ulët papunësie prej rreth 5 për qind, konsiderohen si ndër më të mirat në nivel global."
Qeveria kineze e ka ulur objektivin e saj të rritjes ekonomike vitet e fundit, në kuadrin e ristrukturimit, i cili është projektuar të mbështetet më pak tek eksportet dhe investimet fikse, dhe më shumë te rritja e konsumit.
Objektivi i rritjes ekonomike i qeverisë për këtë vit është rreth 6.5 për qind. (Leftion Peristeri)