Kina, plan për hulumtimin shkencor të asteroidëve

2017-09-20 20:36:56 CRI Komenti juaj Printoni

Kina po harton planin për hulumtimin shkencor të asteroidëve. Lajmin e bëri të ditur Ouyang Ziyuan, kryeshkencëtari i programit kinez të hulumtimit të Hënës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kinës në Forumin e 3-të Ndërkombëtar të Hulumtimit të Hënës e të Hapësirës së Thellë, që u hap të mërkurën në Pekin.

Sipas "Librit të Bardhë mbi fluturimet kozmike të Kinës 2016", Kina do të zbatojë planin e hulumtimit të asteroidëve në pesë vjetët e ardhshëm. Ouyang Ziyuan shpjegon se asteroidët janë lëndë primitive të mbetura pas formimit të sistemit diellor dhe nëpërmjet tyre mund të merren informacione rreth formimit të sistemit diellor, prandaj hulumtimi i asteroidëve ka rëndësi të madhe shkencore:

"Në sistemin diellor, asteroidët janë të përqendruar kryesisht në dy pjesë: një është brezi i asteroidëve pranë Marsit, ndërsa pjesa tjetër janë asteroidët afër Tokës, të cilët nuk lëvizin në orbitë normale, prandaj përbëjnë rrezik për Tokën. Kina dëshiron të bëjë kërkime në të dyja pjesët."

Sivjet Forumi Ndërkombëtar i Hulumtimit të Hënës dhe të Hapësirës së Thellë do të zgjatë tre ditë. Temat kryesore të tij përfshijnë programet e hulumtimit të Hënës, Marsit e asteroidëve të vendeve dhe organizatave kryesore ndërkombëtare, si edhe përparimet e fundit për sa u përket studimit të planeteve. Në forum do të diskutohet gjithashtu lidhur me çështjet më të nxehta në 5-10 vjetët e ardhshëm, metodat e studimit të mostrave nga Hëna dhe trupat e tjera kozmikë, metodat dhe mjetet e reja mbartëse lidhur me hulumtimin e hapësirës së thellë etj. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore