Qyteti i Kinës Lindore, përparim në mbrojtjen mjedisore

2017-08-23 21:07:01 CRI Komenti juaj Printoni

Banorët e një qyteti në provincën Shandong të Kinës Lindore po përqafojnë filozofinë mjedisore të promovuar nga presidenti kinez Xi Jinping, duke marrë masa të rrepta për të frenuar ndotjen e ujit.

Lumi Chaobai në Rizhao të Shandong-ut është një nga pasuritë më të mëdha të këtij qyteti.

Li Bin jeton në fshatin Chaohe të Rizhao-s ku rrjedh lumi Chaobai. Ai thotë se masat që po merren për të pastruar Chaobai-n, e kanë kthyer këtë lumë dikur të rrezikshëm, në një zonë për kalimin e kohës së lirë nga banorët:

"Vite më parë, fshati goditej shpesh nga përmbytjet. Kur ishte koha e përmbytjeve, pothuajse një e treta e fshatit zhytej nën ujë. Prej një sërë masash për pastrimin e lumit dhe trajtimin e ndotjes së mjedisit, zona po preket më rrallë nga përmbytjet. Tani mjedisi është përmirësuar shumë, pasi autoritetet vendore kanë filluar të luftojnë ndotjen. Banorët tani e kalojnë kohën e lirë në mbrëmje përgjatë brigjeve të lumit."

Që nga viti 2016, autoritetet e Rizhao-s kanë luftuar ndotjen e ujit në degët kryesore të Chaobai-t.

Zhu Jianjian, një zyrtar i lartë në Drejtorinë e Ujërave të bashkisë së qytetit, thotë:

"Që nga vjet, ne po zbatojmë një projekt për të trajtuar ndotjen e ujit dhe kemi hartuar një plan pesëvjeçar për vazhdimin e tij. Vlera e përgjithshme e investimeve për projektin e pastrimit mund të arrijë afro 5.5 miliardë juanë. Ne kemi rreth një mijë kilometra rrugë ujore për të pastruar. Tani për tani kemi arritur të pastrojmë rreth një të katërtën e kësaj gjatësie." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore