Kinë, fshati Dexing pasurohet nga produktet e bambusë e kallamit

2017-08-22 19:15:45 CRI Komenti juaj Printoni

Dexing, në bregun perëndimor të lumit Yarlung Zangbo në rajonin e Xizang-ut të Kinës, është një fshat i pasur në bambu dhe kallama. Banorët e fshatit nga grupet etnike lhoba dhe moinba, janë të njohur për zejet e tyre dhe produktet e bambusë.

Me mbështetjen e madhe të pushtetit vendor të komunës Medog dhe qeverisë qendrore, në Dexing po zhvillohet industria e produkteve të bambusë dhe kallamave. Zëvendëskryeplaku i fshatit, Xiraoduoji, shprehet:

"Me ndihmën e qeverisë qendrore, 29 nga të rinjtë tanë morën trajnime të gjithanshme për thurjen e bambusë në provincën Sichuan në vitin 2013. Në vitin 2015, fabrika e mobilieve prej druri dhe kallami 'Deng Xiaolin' e Pekinit filloi prodhimin e produkteve të bambusë me teknologji të re".

Në vitin 2013, bashkia e qytetit Nyingchi investoi 3.7 milionë juanë (rreth 550 mijë dollarë amerikanë) për ndërtimin e një fabrike të përpunimit të bambusë dhe kallamit në Dexing me një sipërfaqe 520 metra katrorë. Fabrika është bërë tani një kooperativë profesionale. Zhang Yiqun është menaxheri i kësaj kooperative:

"Lënda e parë pritet nga banorët lokalë në mal dhe përpunohet fillimisht në fabrikë, më pas thuret nga banorët në shtëpi. Pastaj produktet e thurura blihen nga fabrika dhe shiten nga kooperativa. Ne hapëm një dyqan në distriktin Bayi sivjet."

Kooperativa ndjek një model ku ndërthuret prodhimi në fabrikë me atë në punishtet familjare. Më shumë se 60 familje në fshatin Dexing marrin pjesë në këtë prodhim. Mbi 500 mallra zejtarie u shitën vjet me një vlerë 1.3 milion juanë (rreth 195 000 dollarë amerikanë).

Kooperativa prodhon një shumëllojshmëri të gjerë objektesh bambuje dhe kallami, si karrige, shporta e çanta. Punonjësi i kooperativës Huang Xi bën të ditur se 70 për qind e këtyre produkteve shiten në tregjet brenda vendit, si Pekini, Guangzhou, Chengdu, Suzhou dhe Hangzhou.

Zv.kryetari i komunës Medog Tselangyongzen shprehet se kjo komunë ka si objektiv tregtinë elektronike, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit të produkteve të bambusë e kallamit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore