Qeveria shqiptare, projekt për kthimin e Nivicës në një pikë të njohur turistike

2017-08-15 09:43:40 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria shqiptare planifikon ta kthejë një fshat të largët malor në një pikë të njohur turistike, që do të tërheqë vizitorë nga e gjitha bota duke filluar nga viti i ardhshëm.

Nivica është një fshat në jug të Shqipërisë, në zonën malore të Labërisë. Për shekuj jeta e banorëve të këtij fshati ka qëndruar pothuajse e paprekur nga qytetërimi modern, e po ashtu edhe natyra ka mbetur e virgjër. Nivica ka kanione të mrekullueshme, ndërsa urat e gurta të stilit otoman kanë mbetur ashtu siç kanë qenë qindra vjet më parë.

Por me gjithë pasuritë turistike, Nivica ka mbetur relativisht e panjohur. Kjo është diçka që Agjencia Kombëtare e Bregdetit e Shqipërisë ka vendosur ta ndryshojë. Kjo agjenci ka nisur një program për të vendosur lidhje më të ngushta ndërmjet zonave bregdetare të vendit dhe Nivicës e zonave përreth.

Drejtori i Agjencisë, Auron Tare, thotë se turistët duhet të shkojnë në këtë fshat si për natyrën, ashtu edhe historinë:

"Ky është një vend ku kanë shkelur trupat romake, ky është një vend ku kanë shkelur normanët, ky është një vend ku kanë shkelur osmanët. Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore … Ka shumë histori që lidhen me këtë zonë. Shto edhe peizazhin e mrekullueshëm dhe mënyrën e paprekur të jetesës. Këtu mund të shihni banorët që i mjelin delet dhe dhitë ashtu si 4 mijë vjet më parë ".

Tashmë në fshat kanë nisur përgatitjet për pritjen e fluksit të vizitorëve. Në pranverën e ardhshme është planifikuar të ndërtohet një hotel i ri.

Dallëndyshe Mero është një banore e fshatit që shkoi për të jetuar në qytet 20 vjet më parë. Tani ajo vendosi të kthehet në Nivicë kur dëgjoi për këtë projekt turistik. Ajo thotë se ka filluar ta rregullojë shtëpinë e saj, në pritje të turistëve, duke shtuar se ndihet e lumtur që jeta në fshat po rigjallërohet dhe që shumë banorë të tij të larguar po rikthehen.

Me gjithë përfitimet ekonomike, Agjencia Kombëtare e Bregdetit thotë se projekti do të vihet në jetë më ngadalë se sa mund të mendohet ose shpresohet, për shkak të shqetësimeve për rreziqet e mundshme ndaj mënyrës vendore të jetesës dhe mjedisit.

Autoritetet shqiptare po zbatojnë plane për të nxitur turizmin, i cili tashmë është një sektor kyç i ekonomisë së vendit. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore