Kina: lufta tregtare kino-amerikane nuk ka fitues

2017-08-15 09:38:53 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet kineze kanë paralajmëruar administratën amerikane se po krijon kushtet e një lufte tregtare. Kjo ndodhi pasi presidenti Trump nënshkroi një urdhër-ekzekutiv, duke i kërkuar zyrës së tij për tregtinë të hetojë praktikat tregtare të Kinës, që sipas tij përmbajnë vjedhje të teknologjisë amerikane dhe të pronësisë intelektuale.

Në përgjigje të këtij urdhëri, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying tha se nëse Kina dhe SHBA-ja shpallin luftë tregtare, askush nuk do të dalë fitues.

"Nëse keni ndjekur deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Tregtisë më 3 gusht, në të theksohet se masat tregtare të ndërmarra nga ndonjë anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) duhet tu binden rregullave të kësaj organizate. Më herët kemi ritheksuar se Kina dhe SHBA-ja por rritin bashkëpunimin me interes të ndërsjellë, por një luftë tregtare nuk do të na çojë askund, nuk do të ketë asnjë fitues, por vetëm do të shkaktojë humbje reciproke", tha zëdhënësja e diplomacisë kineze.

Pala kineze theksoi se janë ndërmarrë hapa për mbrojtjen e pronësisë intelektuale nëpërmjet hartimit të një sërë rregulloresh dhe ligjesh, duke goditur shkeljet në këtë sektor dhe duke rritur ndërgjegjësimin e publikut për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Hua Chunying tha se pala amerikane duhet të përpiqet të ruajë rrugët e komunikimit.

"Ne gjithashtu kemi theksuar shumë herë thelbin e marrëdhënieve tregtare kino-amerikane, me përfitim të ndërsjellë. Një nga rezultatet e rëndësishme të arritura kohët e fundit është Dialogu Gjithëpërfshirës Ekonomik Kinë-SHBA, ku të dyja palët vendosin drejtimet e duhura për bashkëpunimin ekonomik, duke e konsideruar bashkëpunimin si parim themelor për zhvillimin e lidhjeve dypalëshe, dialogun dhe konsultimin si mjet bazë për zgjidhjen e dallimeve dhe komunikimin mbi politikat e tyre kryesore ekonomike si forma themelore të dialogut dhe bashkëpunimit ", u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës theksohet se hetimi i mundshëm tregtar nuk do të ndikojë në qëndrimin e Kinës ndaj çeshtjes së Gadishullit Korean. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore