Holandë: Arrestohen dy vetë për skandalin e vezëve

2017-08-11 09:50:38 CRI Komenti juaj Printoni

Një deklaratë zyrtare thotë se dy persona janë arrestuar në Holandë për shkak të skandalit të vezëve të kontaminuara me insekticide të paligjshme. Arrestimi u krye pas një hetimi për përdorimin e paligjshëm të një insekticidi potencialisht të dëmshëm në industrinë e shpezëve. Fipronili është një insekticid, që konsiderohet paksa helmues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por që në industrinë e shpezëve përdoret kundër morrave. Ky pesticid ndalohet të përdoret për shpezët e destinuara për zinxhirin ushqimor, sepse mund të shkaktojë dëmtim të organeve.

Flet për këtë Steve Wearns, Drejtor i politikave pranë Agjencisë së Standardeve Ushqimore të Mbretërisë së Bashkuar.

"Po flasim për Fipronilin, që është një insekticid me përdorim të gjerë, por që nuk autorizohet të përdoret në prodhimet ushqimore. Vërehet se ai është përdorur si një përzierje për pastrimin e një kompleksi shpezësh, duke prekur vezët. Pra përdorimi i tij është i paautorizuar dhe mendojmë se njerëzve u duhet garantuar besimi te ushqimet. Pavarësisht se nuk kemi të bëjmë me një rrezik ndaj shëndetit publik, pas zbulimit të fipronilit në vezë ne vendosëm që këto prodhime të tërhiqen nga tregu", tha Wearns.

Zbulimi i insekticidit Fipronil te vezët e prodhuara në Holandë shkaktoi tërheqjen nga supermarketet që nga fillimi i muajit gusht të miliona vezëve. Për pasojë janë mbyllur 180 pulari dhe jane therur miliona pula. Kjo emergjencë ka kapërcyer kufijtë e Belgjikës dhe të Gjermanisë. Mendohet se 10 milion vezë të prekura nga pesticidi Fipronil kanë hyrë nga Holanda në Gjermani. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore