Porti i Durrësit, në pritje të kompanive kineze

2017-08-07 14:27:02 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria është një vend buzë deteve Adriatik e Jon dhe ka disa porte detare natyrore, ndër të cilët porti i Durrësit është më i rëndësishmi. Çdo vit këtu përpunohen afro 85 % e mallrave që hyjnë ose dalin nga vendi. Vitet e fundit, me zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë, edhe zhvillimi i porteve shqiptare po shpejtohet pandërprerë. Kohët e fundit, zv.drejtori i Autoritetit Portual Durrës Artjan Qirici tha në një intervistë të posaçme për Radion e Jashtme të Kinës (CRI Shqip) se porti i Durrësit po hap dyert për bashkëpunim me kompanitë kineze serioze dhe me përvojë të madhe. Ai shpreson se, duke shfrytëzuar përvojën e pasur të kompanive kineze, të dyja palët do të arrijnë rezultate të frytshme në bashkëpunim portual.

Porti i Durrësit gjendet buzë detit Adriatik, në pjesën perëndimore të Shqipërisë. Ai është porti më i madh i vendit, ku përpunohet mbi 85 % e vëllimit të mallrave që hyjnë e dalin nga Shqipëria. Z. Qirici thotë për "CRI Shqip" se porti, i vendosur në një pozicion shumë të mirë strategjik dhe me një histori të madhe, është mjaft konkurrues në rajonin e deteve Adriatik dhe Jon. Porti i Durrësit ka aktualisht katër terminale: terminali i mallrave gjenerale, terminali i kontejnerëve, terminali i pasagjerëve dhe terminali i rifuxhove, kur përpunohen mineralet e ndryshme, çimentoja, skrapi etj. "Në vitet e fundit ka rritje të madhe, sipas trendit të përpunimit të volumeve apo të lëvizjes së mallrave në botë, të cilat kanë kaluar në një masë të madhe me kontejnerë," bën të ditur Artjan Qirici. "Për pasojë, edhe në portin e Durrësit ka një rritje të vëllimit të kontejnerëve, që çdo vit arrin në dy shifra, pra 10 %, 12 %, 15 %. Kjo rritje parashikohet edhe për vitin 2017."

Numri dy i Autoritetit Portual Durrës shton se po ashtu, ka edhe një lëvizje të kënaqshme të pasagjerëve: "Terminali i pasagjerëve u dorëzua i ri dhe u investua nga Autoriteti Portual tre vjet më parë. Ky terminal përpunon rreth një milion pasagjerë në vit, një shifër kjo e konsiderueshme për vendin tonë, por edhe një shifër e kënaqshme, pasi i sjell të ardhura portit, bashkë me aktivitetet e tjera."

Nëndrejtori Qirici tha për "CRI Shqip" se aktualisht porti i Durrësit funksionon mbi bazën e orientimeve e parimeve të BE-së, sipas të cilave shërbimet nuk kryhen nga vetë porti, por nga privatët.

Z. Qirici bëri të ditur gjithashtu se vazhdon procesi i zgjerimit të portit, e në këtë kuadër ai mirëpriti edhe përfshirjen e kompanive kineze. "Sigurisht ne jemi të hapur dhe kërkojmë bashkëpunim me kompani tepër serioze dhe me përvojë shumë të madhe kineze," vuri në dukje Artjan Qirici. Ai shtoi se Kina ka porte që janë ndër dhjetë më të mirat në botë dhe sipas tij, për potencialin e madh ekonomik që ka Kina, sigurisht që do të ishte me shumë interes dhe shumë frytdhënës një bashkëpunim edhe me portin e Durrësit.

Sipas parashikimit të Autoritetit Portual Durrës, në vitin 2017, si vëllimi i mallrave të përpunuara, ashtu edhe numri i pasagjerëve në portin e Durrësit, do të shtohen ndjeshëm. Me zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe përmirësimin e kapaciteteve portuale, edhe porti i Durrësit pritet të bëhet një ndër portet më të rëndësishme në detin e Mesdheut.

Mrekulli
Lajmet Kryesore