Xi Jinping, Kina ka arritur një pikë kthese në historinë e saj

2017-07-28 16:15:27 CRI Komenti juaj Printoni

Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës do të zhvillohet në fund të këtij viti në Pekin. Në prag të këtij mitingu të rëndësishëm që mbahet një herë në pesë vjet, liderët kryesorë të nivelit të ministrave, duke përfshirë edhe guvernatorët e të gjitha provincave u mblodhën në kryeqytet për të marrë pjesë në një seminar të posaçëm dyditor për përgatitjet e kongresit.

Në hapje të seminarit, sekretari i përgjithshëm i PKK-së dhe kreu i shtetit Xi Jinping theksoi se socializmi me karakteristika kineze ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. "Partia Komuniste e Kinës duhet të vazhdojë rrugën e zhvillimit, duke nxitur përparimin ekonomik dhe zgjidhjen e problemeve shoqërore," theksoi Xi.

Përveç guvernatorëve të provincave, në ceremoninë e hapjes morën pjesë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, krerët e të gjitha partive demokratike dhe të Federatës së Industrisë dhe të Tregtisë.

Në fakt, është një rutinë që para zhvillimit të çdo kongresi kombëtar të PKK-së, të organizohen mbledhje të tilla për të dëgjuar mendimet dhe propozimet nga përfaqësues të niveleve të ndryshme të qeverisjes.

Sipas z. Dai Yanjun, profesor i Shkollës Qendrore të Partisë, presidenti Xi paraqiti jo vetëm temat kryesore të Kongresit, por kërkoi të dëgjonte reagimet e përfaqësuesve të ndryshëm para hartimit të raportit të punës që do t'i paraqitet Kongresit.

Profesor Dai vuri në dukje se nga fjalimi i Xi Jinping-ut mësohet se Partia Komuniste e Kinës do të nxisë zhvillimin e vazhdueshëm të socializmit me karakteristika kineze në bazë të përgjithësimit të praktikave të mëparshme.

"Në fjalimin e tij presidenti Xi iu referua të gjithë procesit dhe arritjeve gjatë zhvillimit të socializmit me karakteristika kineze. Ai theksoi se Partia duhet të ndjekë pa asnjë mëdyshje këtë rrugë zhvillimi, por njëkohësisht duhet të përqendrohet edhe te praktika për zgjidhjen e problemeve të reja në faza të ndryshme. Gjithashtu ai bëri thirrje se duhen gjetur rrugë të reja e novatore për të zgjidhur problemet në praktikë," tha z. Dai.

Sipas profesorit, kreu i shtetit e vuri theksin te hartimi i një programi gjithëpërfshirës, strategjik e largpamës që lidhet me të ardhmen e socializmit me karakteristika kineze dhe me zhvillimin e vendit e të PKK-së.

"Nga këto fjalë, mund të parashikojmë që në fazën e re historike, Partia Komuniste e Kinës do të nxjerrë një program të ri veprimi," shtoi profesori.

Presidenti Xi Jinping u shpreh se Kina do të realizojë ndërtimin e një shoqërie të mesatarisht të begatë para vitit 2020, ndërsa më pas do të punohet për ndërtimin e një Kine socialiste moderne, të qytetëruar dhe me një sistem më të përsosur demokratik e një shoqëri harmonike para 100 vjetorit të krijimit të Republikës Popullore të Kinës.

Analistët theksojnë se udhëheqësit kinezë po planifikojnë hartimin e objektivit afatgjatë të zhvillimit pas vitit 2020.

Mrekulli
Lajmet Kryesore