Ballkani Perëndimor formon tregun e përbashkët ekonomik

2017-07-13 09:58:16 CRI Komenti juaj Printoni

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord të mërkurën për formimin e një tregu të përbashkët rajonal gjatë Samitit të Triestes. Deri tani marrëveshja u firmos nga kryeministrat e pesë vendeve, përveç atij të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh i kënaqur me rezultatet në përfundim të tij. Sipas qeverisë shqiptare, vendi ynë ka përfituar 30% të fondeve të vëna në dispozicion për 4 projekte.

"Ne i kemi moderuar pritshmëritë tona duke ju përshtatur kontekstit në të cilin jetojmë dhe në të cilin gjendet Bashkimi Euroipian. Por është shumë e rëndësishme të vazhdojmë procesin dhe të mos harrojmë që kur ky proces nisi, ne nuk kishin në gjendje as të takonim njëri-tjetrin. Tani takimet nuk janë më historike, madje ndonjëherë bëhen të mërzitshme," u shpreh Kryeministri Rama.

Samiti i Triestes vazhdon nismën kancelares Angela Merkel, ndërmarrë në Berlin tre vjet më parë. Duke folur në Samitin e Triestes, Merkel theksoi se dëshiron të garantojë se vendet e Ballkanit do të mund të lëviznin hap pas hapi drejt Bashkimit europian.

"Stabiliteti politik në këtë rajon do të thotë gjithashtu stabilitet politik për ne. Detyra jonë si liderë në këtë samit është të nxisim vendet e Ballkanit në rrugën e zhvillimit, duke zbatuar hap pas hapi detyrat për në rrugën drejt BE-së," tha Merkel.

Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, tha se pas përmbushjes së reformave nga vendet e Ballkanit, Brukseli do të jetë në krah të tyre.

"Samiti ishte i suksesshëm ne dy aspekte kryesore. Ai konfirmoi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE. Të gjashta vendet janë qartazi shumë të përkushtuara për integrimin dhe ne jemi të vendosur për ta mbajtur derën të hapur. Arritja e dytë më e madhe e këtij samiti janë projektet praktike që financohen nga buxheti i BE-së e që do të mundësojnë lidhjen e rrugëve të reja për qytetarët e rajonit, e gjithashtu lidhjen me Bashkimin Europian", u shpreh Mogherini.

Marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Europian, pritet të jetë një zgjatim i asaj ekzistuese, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe një gur themeli për anëtarësimin në bllok të gjatëve vendeve.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shpresojnë të anëtarësohen në të njëjtën ditë në Bashkimin Europian. Disa nga këto vende u shprehen skeptike ndaj planit, pasi dyshojnë se ai mund të shtyjë integrimin e tyre në Bashkimin Europian apo ta zëvendësojë komplet këtë proces. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore