Kryediplomati kinez: Vizitat e presidentit Xi, nxitje partneritetit global

2017-07-10 09:44:09 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, theksoi të dielën se vizitat e fundit jashtë vendit të presidentit Xi Jinping kanë ndihmuar në rritjen e partneritetit dhe kanë kontribuuar në bashkëpunimin global në një periudhë të ndërlikuar.

Gjatë javës së kaluar, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi vizita shtetërore në Rusi e Gjermani e mori pjesë në një samit të G20-tës në Hamburg.

Wang Yi tha se vizita e presidentit kinez në Rusi i shërben forcimit të shkëmbimeve të nivelit të lartë midis dy vendeve.

Të dyja palët do të vazhdojnë të promovojnë ndërthurjen e nismës "Një brez, një rrugë" me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia, duke kërkuar edhe bashkëpunimin lidhur me Rrugën Detare të Veriut dhe ndërtimin e së ashtuquajturës "Rrugë Mëndafshi të Akullit".

Vizita e kreut të shtetit kinez në Gjermani u bë teksa sivjet është 45-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dy vendeve.

Wang Yi vuri në dukje se temat kryesore të diskutimit midis të dy palëve u përqendruan në krijimin e sinergjisë mes programit "Made in China 2025" dhe strategjisë së Gjermanisë "Industry 4.0", si dhe bashkëpunimin dypalësh në kuadër të "Një brez, një rrugë".

Ndërkohë. në Samitin e G20-s në Hamburg, udhëheqësi kinez u bëri thirrje vendeve anëtare të këtij grupimi që të ndjekin rrugën e zhvillimit të hapur dhe të përfitimeve të ndërsjella, të mbështesin tregtinë shumëpalëshe dhe të nxisin investimet ndërkombëtare.

Xi gjithashtu zhvilloi bisedime dypalëshe me liderë nga Koreja e Jugut, Japonia, Franca dhe Britania. (Artan Goga)

Mrekulli