Li: Punësimi dhe risitë, faktorë kyçë për rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse

2017-06-27 18:10:37 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri kinez Li Keqiang shprehu të martën angazhimin për një rritje gjithëpërfshirëse të ekonomisë kineze.

Duke folur në hapje së sesionit vjetor veror të Forumit Ekonomik Botëror, në qytetin Dalian të Kinës, Li tha po ashtu se punësimi mbetet një strategji kryesore zhvillimi për qeverinë kineze:

"Kina ka synuar aktivisht rritjen gjithëpërfshirëse. Në vitet e fundit, në kushtet e ngadalësimit të ekonomisë botërore, Kina ka ruajtur rritjen e qëndrueshme. Një arsye kryesore për këtë është rritja e nivelit të gjithëpërfshirjes në ekonominë tonë. Ne vazhdojmë t'i kushtojmë përparësi punësimit, që është tipar themelor i një ekonomie gjithëpërfshirëse. "

Li Keqiang theksoi që, për të siguruar punësim të qëndrueshëm, qeveria kineze ka shpallur një sërë politikash të favorshme për të diplomuarit e universiteteve, punëtorët e pushuar nga puna, punëtorët me aftësi të kufizuara dhe punëtorët nga fshati, për t'i ndihmuar ata të gjejnë punë.

Kreu i qeverisë kineze vëren se ndër nxitësit e punësimit në Kinë janë gjithashtu sipërmarrja dhe inovacioni masiv:

"Numri i të rinjve që hyjnë në tregun e punës ka shënuar një mesatare ditore prej 40 mijë në tre vjetët e fundit. Në Kinë mesatarisht më shumë se 14 mijë biznese të reja regjistrohen çdo ditë, ose më shumë se 3 milionë në vit."

Li Keqiang thotë se autoritetet kineze do të vazhdojnë të inkurajojnë investimet e huaja në Kinë, duke zgjeruar hapjen e tregut në sektorët e shërbimit e prodhimit dhe duke pakësuar kufizimet ndaj pronësisë së huaj, përveç trajtimit në baza të barabarta të kompanive kineze dhe atyre të huaja.

Kryeministri kinez theksoi se Kina është në gjendje të realizojë objektivat kryesorë të rritjes ekonomioke për këtë vit, për shkak të një tranzicioni të qëndrueshëm ekonomik.

Objektivi i qeverisë kineze për rritjen e PBB-së në 2017-n është rreth 6.5 për qind.

Mrekulli
Lajmet Kryesore