Kryeministrja britanike kërkon ndjesë për zjarrin në ndërtesën Grenfell

2017-06-23 15:06:30 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria britanike ka kërkuar ndjesë publike për viktimat e zjarrit që në kullën Grenfell javën e që shkaktoi afro 80 viktima. Ndërkohë ka filluar një hetim i plotë publik për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit, ndërsa është ngarkuar një avokat i pavarur publik për të ndihmuar familjet e braktisura.

Kryeministrja britanike Theresa May u kërkoi publikisht falje viktimave të zjarrit vdekjeprurës që përfshiu një ndërtesë banimi në perëndim të Londrës.

"I gjithë vendi u pikëllua nga humbjet e tmerrshme të jetëve njerëzore dhe nga shkatërrimi që kemi parë. Jam e sigurt se i gjithë Parlamenti do të më bashkohet për t'u dërguar ngushëllimet tona miqve dhe familjeve të atyre që humbën të dashurit dhe gjithashtu sot po kujtojmë të gjithë ata që mbijetuan dhe humbën gjithçka."

May gjithashtu kërkoi ndjesë për mungesën e ndihmës për familjet në orët e para të tragjedisë.

"Njerëzit mbetën duarbosh, pa një strehë e pa asnjë informacion për atë që ndodhi apo ku të kërkonin ndihmë. Ai ishte një dështim shtetëror, vendor dhe kombëtar, për të ndihmuar njerëzit që kishin më shumë në nevojë. Si kryeministre, kërkoj falje për këtë dështim dhe si kryeministre kam marrë përgjegjësinë për të bërë atë që mundemi për t'i vënë gjërat në rregull".

Theresa May u zotua se të gjithë ata që humbën shtëpitë e tyre do të ristrehohen brenda tre javëve dhe do të marrin një pagesë nga fondi emergjent për të blerë sendet e nevojshme për jetën e përditshme.

Ndërkohë ka filluar një hetim i plotë publik për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit, ndërsa është ngarkuar një avokat i pavarur për të ndihmuar familjet e braktisura.

Qeveria gjithashtu do të zhvillojë një strategji të re për fatkeqësitë e mëdha, si dhe do të formojë një grup të ri pune për reagimin ndaj katastrofave civile.

Zjarri në kullën Grenfell që ra javën e kaluar shkaktoi rreth 80 viktima. Këtu përfshihen edhe ata që janë ende zhdukur. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore