Delegacioni i gazetarëve të vendeve të EQL-së viziton Shenzhen-in

2017-06-19 15:17:08 CRI Komenti juaj Printoni

Me ftesën e Sekretariatit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së dhe të Radios së Jashtme të Kinës, një delegacion i gazetarëve të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore (EQL) ndodhet për një vizitë në Kinë nga 12-20 qershor. Delegacioni, i përbërë nga 23 anëtarë, mbërriti të shtunën në qytetin Shenzhen të Kinës Jugore.

Gjatë një pritjeje të dhënë për nder të delegacionit, drejtori i Zyrës së Shtypit pranë Bashkisë së Shenzhen-it Han Wangxi i falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Radion e Jashtme të Kinës që i dhanë Shenzhen-it këtë rast për t'iu prezantuar gazetarëve të EQL-së. Ai tha se, me nismën e kryetarit të atëhershëm të shtetit Ten Hsiao Pin, Kina krijoi zonën e parë të posaçme ekonomike në Shenzhen në vitin 1980. Gjatë këtyre 36 vjetëve, Shenzhen-i është shndërruar nga një lokalitet me vetëm 300 mijë banorë dhe dy-tre rrugë, në një metropol me dhjetëra milionë banorë, me një ekonomi të zhvilluar, shoqëri harmonike dhe një mjedis të bukur e funksional. Shenzhen përbën një mrekulli në historinë e industrializimit, urbanizmit dhe të modernizmit në botë, theksoi Han Wangxi.

Përfaqësuesi i delegacionit të gazetarëve të EQL-së, drejtori i Agjencisë së Lajmeve të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Elmir Huremoviç, shprehu kënaqësi të madhe për vizitën në Kinë. Ai tha se kjo vizitë në këtë vend të madh, do t'i njohë nga afër gazetarët e vendeve të EQL-së me kulturën kineze, si edhe me nismën "Një brez, një rrugë" e mekanizmin e "Bashkëpunimit 16+1" midis Kinës dhe vendeve të EQL-së.

Shenzhen-i është ndalesa e fundit e vizitës së delegacionit të gazetarëve të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore. Më parë ky delegacion ka vizituar edhe Pekinin e Shangain. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore