Britani: Tre arrestime të tjera për sulmin në Mançester

2017-05-24 20:44:52 xinhua Komenti juaj Printoni

Ushtarë të armatosur janë vendosur për të ruajtur pallatin mbretëror, kryeministrinë, parlamentin dhe ambasadat e huaja, tha të mërkurën policia e kryeqytetit britanik Londër.

Njoftimi pasoi arrestimin nga policia e Mançesterit të tre personave, si pjesë e hetimeve për shpërthimin vetëvrasës të së hënës në "Manchester Arena", që la 22 të vdekur.

Numri i të ndaluarve lidhur me ngjarjen arrin kështu në katër, pasi një 23-vjeçar u arrestua të martën.

Në përgjigje të ngritjes së alarmit të kërcënimit terrorist në nivelin më të lartë, Policia Metropolitane e Londrës bëri të ditur se ka shtuar numrin e policëve dhe operacionet në të gjithë qytetin, për t'u mbrojtur nga terrorizmi ndërkombëtar.

"Publiku do të shohë më shumë policë të armatosur, duke punuar së bashku me kolegët e tyre të lagjeve dhe specialistë në operacione dhe patrullime me objektiv të përcaktuar, si në këmbë, dhe me automjete", theksoi në një deklaratë të saj Policia Metropolitane.

Kryebashkiaku i Londrës Sadik Khan u kërkoi banorëve të kryeqytetit të njoftonin policinë nëse shihnin ndonjë gjë të dyshimtë. Ai tha se ekspertët e sigurisë po shqyrtonin çështjet e sigurisë për ngjarjet e mëdha sportive në Londër, si dhe për Shfaqjen e Luleve që po organizohet tani.

Sekretarja e Punëve të Brendshme Amber Rudd u shpreh se rreth 4 000 trupa do të ishin në detyrë në të gjithë Britaninë, duke punuar së bashku me forcat vendore të policisë në pikat kyçe dhe strategjike.

Rudd konfirmoi gjithashtu në një intervistë për mediat të mërkurën se ajo kishte folur me Uashingtonin pas daljes së detajeve të parakohshme në mediat amerikane rreth identitetit të autorit të shpërthimit vetëvrasës në "Manchester Arena".

Forcat e sigurisë po përpiqen urgjentisht të përcaktojnë nëse ai kishte bashkëpunëtorë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore