Lixin, fshati që po pasurohet nga kërpudhat

2017-05-24 17:47:46 CRI Komenti juaj Printoni

Kina po nxit aktivisht zbatimin e politikave të uljes së varfërisë, duke zhvilluar ata sektorë që mund të japin një ndihmesë më madhe për sa i përket daljes nga varfëria. Lixin është një fshat në provincën Jilin në verilindje të Kinës, banorët e të cilit merren kryesisht me bujqësi. Për të ndihmuar familjet e varfra të këtij fshati, sidomos ato që nuk kanë krahë pune të mjaftueshëm, pushteti vendor po kërkon aktivisht mënyra të reja zhvillimi. Një prej tyre është edhe modeli i quajtur "kompani të fuqishme + familje të varfra", që synon të ndihmojë këto familje të dalin nga varfëria nëpërmjet kultivimit të kërpudhave.

Fshati Lixin nuk është i madh, ai ka vetëm 630 banorë, më shumë se 95 % e të cilëve merren me kultivimin e orizit. Deri në fund të vitit 2016, numri i familjeve të varfra të regjistruara në këtë fshat ishte afro 60.

Pas fillimit të zbatimit në Lixin të modelit "kompani të fuqishme + familje të varfra", shumë nga banorët e këtij fshati nisën të punonin në kompanitë e kërpudhave. Në periudhën më të ngarkuar, deri në më shumë se 30 fshatarë punonin në një serrë kërpudhash. Tashmë të ardhurat e banorëve të Lixin janë rritur ndjeshëm.

Përveç punësimit të më shumë anëtarëve nga familjet e varfra, në vitin 2017, kompanitë e kërpudhave do të caktojnë edhe një kuotë prej më shumë se 10 mijë eurosh në ndihmë të të varfërve.

Në Kinë, kërpudhat janë bimë që rriten kryesisht në pjesë verilindore të vendit, ku ndodhet edhe provinca Jilin. Në këtë provincë ka shumë shembuj si fshati Lixin, që po shkojnë drejt pasurimit duke shfrytëzuar ata sektorë ku kanë më shumë epërsi. Deri në fund të vitit 2016, në provincën Jilin kishte ende 21 532 familje të varfra me 402 707 anëtarë. Sivjet, Jilin parashikon të nxjerrë nga varfëria mbi 200 mijë veta nëpërmjet ndërtimit infrastrukturor, zhvillimit industrial, rritjes së punësimit, përmirësimit të sigurimeve shoqërore etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore