Koreja e Veriut dështon provën raketore, në KS Kinë bën thirrje për dialog

2017-04-29 10:04:32 xinhua Komenti juaj Printoni

Koreja e Veriut zhvilloi një tjetër provë me raketë balistike të shtunën në mëngjes. Sipas njoftimeve të agjencisë jugkoreane të lajmeve, Yonhap, prova ka dështuar. Nga të dhënat e para, mësohet se raketa shpërtheu pak pas lëshimit. Ky është dështimi i dytë brenda një muaji.

Zyrtarët e zbulimit në Seul janë duke studiuar provën e fundit, për të kuptuar se cilën lloj rakete po përpiqej të provonte Koreja e Veriut.

Kjo provë e Penianit vjen pas njoftimeve se ShBA-ja provoi më herët këtë javë një raketë ndërkontinentale balistike. Zyrtarët amerikanë thanë se prova e raketës Minuteman-III në Kaliforni synonte të verifikonte kapacitetet bërthamore të ushtrisë amerikane. Por veprimi ka zemëruar Penianin, që gjithashtu tha se ardhja e aeroplanmbajtëses Carl Vinson dhe manovrat e përbashkëta me Korenë e Jugut po e përkeqësojnë gjendjen në Gadishullin Korean.

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi një takim të ministrave të Jashtëm. Duke folur në takimin ku ishte i pranishëm dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kryediplomati kinez Wang Yi tha se zgjidhja paqësore është e vetmja e mundshme.

"Së pari, ne duhet të qëndrojmë të vendosur për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Kina i kundërshton në mënyrë të vendosur provat, zhvillimin dhe zotërimin e armëve bërthamore dhe kërkon zbatimin rigoroz të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Së dyti, ne duhet të jemi të vendosur për t'ju qasur rrugës së bisedimeve dhe negociatave," tha Wang. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore