Dialog strategjik për çeshtje dypalëshe dhe globale Kinë-BE

2017-04-20 09:05:57 CRI Komenti juaj Printoni

Zyrtarë të lartë të Kinës dhe Bashkimit Europian ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit për çeshtje globale dhe promovimin e përmirësimit të qeverisjes globale.

Dialogu i 7-të Strategjik i Nivelit të Lartë Kinë-BE, u bashkëdrejtua nga Këshilltari i Shtetit i Kinës Yang Jiechi dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini.

Mogherini tha se marrëdhëniet aktuale midis Kinës dhe BE-së janë çelësi i stabilitetit dhe zhvillimit global.

"Ne jetojmë në kohën e rritjes së paparashikueshme të tensioneve globale dhe gjeopolitike. Ndaj bashkëpunimi ynë kurrë nuk ka qenë kaq i rëndësishëm. Kina dhe Bashkimi Europian janë fuqi globale dhe partneriteti ynë strategjik ka arritur një nivel të lartë pjekurie. Ne vlerësojmë rolin e Kinës si një partneri kyç i BE-së për sigurinë dhe politikën e jashtme. Duke punuar së bashku, ne mund të sjellim ndryshimin jo vetëm për qytetarët tanë të respektuar, por për mbarë botën, duke filluar nga krizat që na shqetësojnë", tha Mogherini.

Zyrtarja e lartë europiane tha se Bashkimi Europian do të përmbushë detyrimet e veta në kornizën e Nenit 15 të Protokollit të Anëtarësimit të Kinës në OBT dhe ka nisur procedurat ligjore të amendimeve.

Nga ana e tij Yang Jiechi tha se shpreson që BE-ja do të zbatojë dispozitat dhe të japë sinjale pozitive për ruajtjen e një sistemi tregtar shumëpalësh.

"Aktualisht ekonomia e Kinës ka hyrë në një fazë të re rregullimi dhe përmirësimi. Kina dhe BE-ja duhet të mbajnë një qëndrim të hapur para mundësive të reja dhe të promovojnë bashkëpunimin në tregti dhe investime, teknologji dhe inovacion, si dhe në shkëmbime njerëzore", tha Yang Jiechi.

Ai shtoi se pala kineze e mirëpret mbështetjen e BE-së për Forumin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit "Një brez, Një Rrugë", që do të zhvillohet në mes të majit në Pekin. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore