2017-04-19 10:27:43 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar të martën raportin e vet më të fundit "Parashikimi i ekonomisë botërore", ku thuhet se rritja e ekonomisë kineze në vitin 2017 pritet të jetë 6.6 % dhe 6.2 % në vitin 2018. Këto shifra paraqesin një rritje përkatësisht prej 0.1 dhe 0.2 pikë përqindjeje.
Këshilltari Ekonomik dhe Drejtori i Kërkimeve i FMN-së, dr. Maurice Obstfeld, thotë se të dhënat më të fundit kanë rritur besimin e FMN-së te ekonomia kineze.
"Ne shohim një forcim të ndjeshëm në Kinë në këtë moment. Të dhënat janë në rritje. Procesi shumë i rëndësishëm i ribalancimit i Kinës do të jetë më i qëndrueshëm nëse shoqërohet me reforma të mëtejshme, për të forcuar kufizimet buxhetore ndaj ndërmarrjeve shtetërore, për të përmirësuar rregullat financiare dhe për të frenuar rritjen e kreditimit të brendshëm. Është e qartë se udhëheqja ka bërë reforma mbresëlënëse, por duhet bërë më shumë. Ne besojmë se Kina do të ruajë qëndrueshmërinë me këto reforma," shprehet Maurice Obstfeld.
Parashikimi i fundit për rritjen globale është po ashtu më optimist se vlerësimi i Fondit tre muaj më parë.
Rritja ekonomike globale sivjet parashikohet të jetë 3.5 %, me një rritje 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me raportin e janarit të FMN-së. Ndërkohë, parashikimi për vitin 2018 mbetet i pandryshuar në 3.2%.
Duke përmenduar situatën e një viti më parë, kur kishte paqartësi në tregjet financiare dhe besimi në të ardhmen në përgjithësi ishte shumë i ulët, Obstfeld thekson:
"Kjo paqartësi ka kaluar. Që atëherë kemi parë një përmirësim jo vetëm në rritjen aktuale, por edhe në Treguesin e Menaxherëve të Blerjes, të ndarë gjerësisht në të gjitha vendet në sektorët e manifakturës, prodhimit industrial dhe tregtisë. Çdo gjë duket se po shkon në drejtimin e duhur."
Megjithatë, Obstfeld gjithashtu paralajmëroi për sfidat e mundshme që mund të dalin para ekonomisë globale, si rritja e ulët e produktivitetit dhe politikat që mund të kufizojnë tregtinë.
Ai shprehu në veçanti shqetësim për forcimin e dollarit, si rrjedhojë e politikave fiskale dhe monetare të ShBA-së.