Shqipëri, Mogherini dhe Hahn shprehin shqetësim për bojkotin e opozitës

2017-04-13 09:12:49 CRI Komenti juaj Printoni

Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn shprehëm keqardhjen e tyre për bojkotin e parlamentit nga opozita në Shqipëri dhe mosregjistrimin e saj në zgjedhje.

Në një deklaratë të përbashkët, Mogherini dhe Hahn, thanë se debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda parlamentit dhe në bazë të rregullave demokratike.

"Qytetarët meritojnë të kenë udhëheqës të përgjegjshëm. Ne u bëjmë sërish thirrje politikanëve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme, në respekt të institucioneve dhe të hapin rrugën për zgjedhje demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare," thuhet në deklaratën e zyrtarëve të lartë të BE-së.

Mogherini dhe Hahn e vënë theksin tek nevoja e madhe që ka Shqipëria për reformën në drejtësi, e cila është sulmuar sërish nga opozita.

"U bëjmë thirrje partive të përfundojnë formimin e institucioneve të vettingut. Sulmi i reformës në drejtësi dhe jo implementimi i saj, me monitorimin e ngushtë të ONM-së, dëmton të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë", vijon deklarata.

Mogherini dhe Hahn shprehen optimistë se ligjvënësit shqiptarë do të tregojnë përgjegjësi dhe aftësi për të vepruar sipas procedurave institucionale ligjore. (Leftion Peristeri/ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore