Presidenti finlandez mirëpret forcimin e bashkëpunimit me Kinën

2017-04-05 09:04:06 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti finlandez Sauli Niinisto është shprehur të hënën se Kina dhe Finlanda do të kenë ndërlidhshmëri më të mirë nëpërmjet nismës kineze "Një Brez dhe Një Rrugë".

Në një intervistë për mediat, Niinisto tha se nisma do të shërbejë më shumë se vetëm për lidhjet ekonomike:

"Sipas mendimit tim, nuk është vetëm Rruga e Mëndafshit, domethënë, nuk është vetëm 'një rrugë'. Konkretisht, edhe pse është 'Një Brez dhe Një Rrugë', unë e shoh atë si një kombinim të ndërlidhshmërisë, si lidhje të njerëzve. Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe si një lidhje shpirtërore."

Ndërkohë, duke folur mbi Marrëveshjen e Klimës të Parisit, Niinisto theksoi se Kina dhe Bashkimi Evropian mund të bëjnë shumë së bashku për të kontrolluar rritjen e temperaturave globale.

Presidenti finlandez vlerësoi pjesëmarrjen e Kinës në Këshillin e Arktikut, një forum ndërqeveritar për çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit në Arktik. Niinisto vuri në dukje se roli i Kinës si vëzhguese në këtë Këshill ofron më shumë mundësi për bashkëpunimin kino-finlandez në luftën kundër ndryshimit klimatik:

"Ne po marrim kryesimin e Këshillit të Arktikut. Zona lindore e Arktikut, në njëfarë mënyre, luan një rol të rëndësishëm edhe në ndryshimin e klimës, sepse, në qoftë se ne nuk mund ta ndalojmë atë në Arktik, kjo do të ishte një katastrofë globale. Kina është një shtet vëzhgues në Këshillin e Arktikut dhe ky gjithashtu mund të jetë një vend i mirë për të bashkëpunuar."

Komentet e Niinisto-s u bënë pas botimit të një artikulli të presidentit kinez Xi Jinping në prag të vizitës së tij në Finlandë.

Në këtë artikull, presidenti Xi shprehet ndër të tjera se mirëpret bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve në fushën e energjisë së pastër dhe kërkimeve lidhur me Arktikun.

Mrekulli
Lajmet Kryesore