2017-03-14 08:58:21 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Deputetët pjesëmarrës në sesionin vjetor të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës kanë bërë thirrje për zhvillimin e "turizmit holistik".
"Turizmi holistik" ka të bëjë me vizitën në një pjesë të tërë të një rajoni, dhe jo thjesht në një pikë të veçantë turistike.
Ky koncept i ri është paraqitur nga Administrata Kombëtare e Turizmit të Kinës dy vjet më parë për të përmbushur më mirë kërkesat e turistëve dhe është përfshirë për herë të parë në raportin e punës së qeverisë të këtij viti nga kryeministri Li Keqiang.
Li Jinzao, kreu i Administratës Kombëtare të Turizmit të Kinës, bëri thirrje për një menaxhim më të plotë, të cilën ai e quajti "Një plus tre":
" 'Një' do të thotë komiteti lokal i turizmit, ndërsa 'tre' janë një forcë policore, një gjykatë dhe një degë e administratës lokale për industrinë dhe tregtinë të fokusuar në sektorin e turizmit. Ata do të ngarkohen me menaxhimin e burimeve turistike në përputhje me ligjin, ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve dhe ndëshkimin e akteve të papërshtatshme të operatorëve turistikë, veçanërisht të atyre që pengojnë konkurrentët dhe zotërojnë tregun."
Për të zhvilluar më mirë "turizmin holistik", analistët sugjerojnë se jo vetëm pikat turistike, por edhe fshatrat e qytezat duhet të jenë të standardizuara si vende turistike.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Administrata Kombëtare e Turizmit të Kinës, do të përmirësohet infrastruktura për të siguruar lehtësi për turistët.
Vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi në Kinë arritën në rreth 4.7 trilionë juanë (afro 690 miliardë dollarë amerikanë), duke pasur një rritje vjetore 13.6 për qind. Turistët vendas bënë më shumë se 4.4 miliardë udhëtime vjet, ndërsa të huajt bënë më shumë se 28 milionë vizita në Kinë.
Kina pritet të shpenzojë rreth 2 trilionë juanë në sektorin e turizmit deri në vitin 2020, duke kontribuar për më shumë se 12 për qind të GDP-së.